Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se “ne” tani kemi kontroll të plotë mbi qiellin e Iranit dhe se dinë saktësisht ku ndodhet Lideri Suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei. Megjithatë, ai shtoi se nuk planifikojnë ta vrasin atë, “të paktën jo për tani”.

Trump paralajmëroi gjithashtu se durimi i Shteteve të Bashkuara po shteron dhe postoi në rrjetet sociale mesazhin e fortë:
“DORËZIM PA KUSHTE!”

Kjo deklaratë vjen pesë ditë pas fillimit të sulmeve të Izraelit ndaj Iranit, ku të dyja palët vazhdojnë të shkëmbejnë sulme.

Megjithëse Shtetet e Bashkuara zyrtarisht thonë se nuk janë të përfshira në sulmet ajrore të Izraelit, pyetja madhore mbetet nëse do të bashkohen në konflikt.

Në këtë moment, në rajon po dërgohet një grup luftarak i marinës amerikane, përfshirë edhe aeroplanmbajtësen USS Nimitz, dhe SHBA kanë në dispozicion bombën gjigante penetrante GBU-57 MOP, e vetmja që mund të godasë objektivat bërthamore të thella iraniane, si ato në Fordow.

Në Teheran, shumë iranianë përpiqen të largohen nga qyteti, ndërsa të tjerë shprehen se nuk kanë ku të shkojnë.

Një banor i Teheranit tha me frikë:
“Çfarë do të thotë ‘evakuohuni menjëherë’? Ku të shkojmë? Si të ikim? Çfarë lloj marrëzie është kjo?”

Numri i viktimave nga sulmet e fundit arrin të paktën në 450 persona, sipas organizatave për të drejtat e njeriut, ndërsa Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike konfirmon dëmtime në objektet bërthamore të Natanz-it, ndërsa objektet e tjera janë ende të paprekura.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu