
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ka dhënë dorëheqjen nga detyra
Lajmi bëhet i ditur nga burime mediatike që kanë konfirmuar se kryebashkiaku është dorëhequr mbrëmjen e sotme. Dorëheqja e Dredhës pritet të zyrtarizohet ditën e nesërme.
Arsyet e dorëheqjes së Ermal Dredhës nuk dihen ende, por dy muaj më parë ai u përball me pakënaqësinë e kryeministrit, në çaste të tensionuara publike gjatë festës për 34-vjetorin e PS ndërsa Vlora ishte mbuluar nga tymi i djegies së fushës së mbetjeve.
Ermal Dredha është një diplomat dhe politikan shqiptar, i lindur më 15 tetor 1977 në Vlorë, i cili aktualisht mbante detyrën e kryetarit të Bashkisë Vlorë që nga korriku 2023. Ai ka një karrierë të gjatë në diplomaci dhe administratë shtetërore, me përvojë të theksuar në marrëdhënie ndërkombëtare dhe protokoll shtetëror.
Jeta dhe Arsimimi
- Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës (1996–2000), në italisht dhe anglisht.
- Në vitin 2000, mori certifikatë në Teknologjinë e Informacionit në Tiranë.
- Në 2003, ndoqi një kurs profesional në Toronto, Kanada.
- Gjatë 2004–2005, mori diplomë nga Ministria e Jashtme e Japonisë, me fokus në gjuhën, historinë dhe kulturën japoneze.
- Në vitet 2006–2007, ndoqi një kurs në Menaxhimin e Ngjarjeve të Mëdha në Shkollën Europiane të Ekonomisë, Londër.
Karriera
- 1999: Filloi si përkthyes për gazetarë italianë gjatë krizës së Kosovës.
- 2000: Menaxher i arkivit kompjuterik në Bashkëpunimin Italian në Tiranë, duke u angazhuar në projekte infrastrukture për ujësjellësin.
- 2002: U bashkua me Ministrinë e Punëve të Jashtme si asistent personal i zv/kryeministrit dhe ministrit të jashtëm.
- Më pas u bë drejtues i sektorit të IT dhe më vonë drejtor i Departamentit të Protokollit Shtetëror.
- Dhjetor 2010 – Nëntor 2013: Drejtor i Protokollit Shtetëror.
- Nëntor 2013 – Nëntor 2016: Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Bari, Itali.
- Maj 2016 – Mars 2023: Ambasador i Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
- Prill 2023: U zgjodh kandidat i Partisë Socialiste për kryetar bashkie në Vlorë.
- Maj 2023: Fitoi zgjedhjet lokale dhe mori detyrën në korrik 2023, duke zëvendësuar Dritan Lelin.