
Nepali është zhytur në trazirat më të mëdha të dekadave të fundit, pasi protestat kundër korrupsionit degjeneruan në dhunë dhe kaos.
Të martën, protestuesit dogjën ndërtesën e parlamentit në kryeqytetin Kathmandu, duke ngritur re të mëdha tymi të zi mbi qytet. Godina qeveritare dhe shtëpitë e disa liderëve politikë, mes të cilave edhe rezidenca e vetë kryeminstrit u sulmuan në mbarë vendin.
Kryeministri KP Sharma Oli, 73 vjeç, dha dorëheqjen pas vdekjes së 19 protestuesve në përplasjet me policinë të hënën. Ai tha se ishte tërhequr për të hapur rrugën për një zgjidhje kushtetuese të krizës politike.
Ndërkohë, situata vazhdoi të përkeqësohej. Të martën u raportuan edhe tre viktima të tjera, ndërsa 900 të burgosur arritën të arratisen nga dy burgje në rajonet perëndimore të vendit.
View this post on Instagram
Shkaku i protestave
Demonstratat nisën pas një vendimi të qeverisë për të bllokuar 26 rrjete sociale, përfshirë Instagram dhe Facebook, duke e justifikuar si masë kundër lajmeve të rreme, gjuhës së urrejtjes dhe mashtrimeve online.
Vendimi u kritikua ashpër nga të rinjtë, të cilët e panë si sulm ndaj lirisë së fjalës.
Edhe pse ndalimi u hoq të hënën pas një mbledhjeje urgjente të qeverisë, protestat tashmë kishin marrë përmasa masive, të ushqyera nga një fushatë në internet me hashtagun #NepoKids, që denonconte jetën luksoze të fëmijëve të politikanëve dhe korrupsionin e elitës politike.
Trazira në rritje
Në Kathmandu, protestuesit jo vetëm që dogjën parlamentin, por edhe selinë e Partisë Nepali Congress dhe shtëpinë e liderit të saj, Sher Bahadur Deuba.
Shtëpia e ish-kryeministrit Oli gjithashtu u sulmua dhe u përfshi nga flakët.
Një vajzë 20-vjeçare nga Kathmandu, Muna Shreshta, tha për BBC se qytetarët janë të lodhur nga korrupsioni:
“Është koha që vendi ynë dhe ata që janë në pushtet të ndryshojnë. Shpresoj që ky revolucion të sjellë një të ardhme më të mirë.”
Ushtria në gatishmëri
Shefi i ushtrisë paralajmëroi se nëse dhuna vazhdon, forcat e sigurisë, përfshirë ushtrinë, do të marrin kontrollin e situatës.
Aktualisht, disa ministra dhe figura të larta politike kanë kërkuar strehim pranë forcave të sigurisë, ndërsa nuk është e qartë se kush do të marrë drejtimin e vendit pas dorëheqjes së Oli-t.
Kriza në Nepal pritet të thellohet edhe më shumë, pasi protestuesit nuk kanë udhëheqje të organizuar dhe nuk kanë paraqitur ende kërkesa të qarta, përveç thirrjeve të përgjithshme kundër korrupsionit.