Pas dorëheqjes së Shkëlqim Hajdarit, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që përcakton rregullat dhe procedurat për përzgjedhjen, emërimin, vlerësimin, disiplinën dhe shkarkimin nga detyra të Inspektorit të Përgjithshëm.

Vendimi është marrë me propozim të ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit dhe bazohet në ligjin nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”. Sipas tij, Inspektori i Përgjithshëm do të emërohet dhe shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Kriteret për kandidimin

Kandidatët duhet të kenë diplomë Master i Shkencave ose Master Profesional dhe të paktën 5 vite përvojë pune në pozicione të larta drejtuese në institucione publike ose private.

Procedura e përzgjedhjes

Brenda 15 ditëve nga krijimi i vakancës, hapet thirrja për aplikim dhe ngrihet një komision ad hoc, me përfaqësues nga:

  • institucioni përgjegjës për Inspektoratin e Përgjithshëm;
  • Departamenti i Administratës Publike;
  • Ministria e Drejtësisë.

Aplikimet do të vlerësohen me 100 pikë, ku 60 pikë lidhen me dokumentacionin dhe përvojën profesionale, ndërsa 40 pikë me intervistën e strukturuar.

Masa disiplinore dhe vlerësimi vjetor

Vendimi parashikon procedura të detajuara për hetimin administrativ dhe masat disiplinore ndaj Inspektorit të Përgjithshëm, deri në largim nga detyra. Po ashtu, ai do t’i nënshtrohet vlerësimit të performancës një herë në vit, bazuar në realizimin e objektivave, etikën profesionale, transparencën dhe bashkëpunimin institucional.

Vendimi synon të forcojë transparencën, objektivitetin dhe standardet profesionale në drejtimin e Inspektoratit të Përgjithshëm dhe hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu