
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja publikoi sot në rrjetet sociale momente nga riti i Dollisë Shqiptare, të shpallur Pasuri Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore si një traditë e lashtë e mikpritjes shqiptare, nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jo Materiale.
Dollia zë një vend të veçantë në jetën shoqërore shqiptare, duke simbolizuar kulmin e mikpritjes, respektit dhe nderimit ndaj miqve.
Ky rit, i pranishëm në dasma, ceremoni, gostira dhe festa të ndryshme, është vlerësuar si një shprehje autentike e kulturës shpirtërore dhe identitetit kombëtar.
Sipas ministrisë, kjo traditë është cilësuar si një kryevepër e trashëgimisë jomateriale, që bashkon elementë të lashtë dhe bashkëkohorë, dhe që meriton të ruhet, promovohet dhe të trashëgohet brez pas brezi.
Postimi i plotë
Rituali i Dollisë prej sot njihet si Vlerë Kombëtare e Trashëgimisë sonë, pas vendimit të marrë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.
Dollia është një dukuri zakonore në formën e një rituali familjar që ka të bëjë në radhë të parë me bashkimin e njerëzve në raste familjare ose shoqërore dhe përfaqëson një shkallë të lartë të mikpritjes shqiptare.
Dollia ka si objekt respektimin dhe kushtimin e vëmendjes ndaj mikut, me krijimin e një klime të ngrohtë dhe bujare për të.
Si karakteristikë e mirëfunksionimit dhe rregullave në sofër, ka qenë prania e dollibashit si i pari i tavolinës dhe përballë tij e pritësit të dollisë të cilët janë të ndryshueshëm në rolin e tyre. Marrëdhënia mes tyre ka të bëjë me urimet e ndërsjellta dhe respektin reciprok të palëve, sjellje kjo e cila demonstrohet përballë të gjithë miqve të ftuar në sofër.
Rituali i Dollisë gjatë shekujve ka marrë trajtën e një kodi moral të respektuar dhe zbatuar në të gjithë hapësirën tonë, në të cilën ndërlidhen shumë elemente të tjerë të trashëgimisë sonë shpirtërore.