
Të marrësh aq shumë vota të bën të ndihesh krenar, por është edhe përgjegjësi më vete. Kështu u shpreh para kamerave ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili në zgjedhjet e 11 Majit mori saktësisht 24,802 vota. Kjo e vendosi në radhë të parë mes deputetëve të listave të hapura.
“Nuk diskutohet që është një barrë shumë e madhe. Është një gëzim, është një krenari, është një kënaqësi kur shikon rezultatin, por nga ana tjetër është automatikisht një përgjegjësi shumë e rëndë, shumë e madhe, që duhet të përkthehet menjëherë në përveshje mëngësh për të punuar”, u shpreh ai.
Por a ia hap ky votëbesim rrugën për të garuar për Bashkinë e Tiranës? Vetë Gonxhja thotë se kjo nuk ka lidhje me Bashkinë e Tiranës.
“Mendoj se Bashkia e Tiranës zyrtarisht e ka kryetarin e vet, e ka datën e vet të zgjedhjeve në kohën e vet. Mendoj që nuk ka lidhje me këtë gjë. Natyrisht pritshmëria shumë pozitive e kryeqytetasve, në këtë rast e Qarkut Tiranë të mbush me krenari, por ta thashë, nuk shoh lidhje direkte me Bashkinë Tiranë”, tha ministri.