Autoritetet italiane kanë miratuar ekstradimin e Davide Pecorellit drejt Shqipërisë, pas vendimit të Ministrisë së Drejtësisë në Itali. Dokumenti zyrtar, i lëshuar më 12 mars 2025, konfirmon se Pecorelli pritet të ekstradohet brenda pak ditësh për t’u përballur me akuzat ndaj tij në Shqipëri.

Ai kërkohet nga autoritetet shqiptare për një sërë veprash penale, duke përfshirë mashtrimin (ose përvetësimin e paligjshëm), përdhosjen e varreve, pengimin e drejtësisë dhe shkatërrimin e pronës përmes zjarrvënies. Këto krime dyshohet se janë kryer në Shqipëri në janar të vitit 2021, ndërsa një urdhër arresti kundër tij është lëshuar nga Gjykata e Pukës në tetor 2022.

Pecorelli, i cili u bë i njohur për inskenimin e zhdukjes së tij në Shqipëri, tashmë do të përballet me drejtësinë shqiptare. Pritet që procedurat e ekstradimit të përmbyllen së shpejti, duke e sjellë atë në Shqipëri për gjykim.

Pecorelli u bë i njohur edhe për mashtrimin e tij spektakolar, ku pretendoi se kishte gjetur “Thesarin e Montecristos”, një legjendë që ngjalli kureshtje dhe spekulime të shumta. Ai kishte deklaruar se kishte zbuluar një pasuri të fshehtë me monedha ari dhe sende të çmuara, duke u përpjekur të përfitonte përmes kësaj skeme mashtrimi. Megjithatë, autoritetet zbuluan se gjithçka ishte një fabrikim dhe se ai kishte inskenuar gjithashtu zhdukjen e tij për të shmangur përgjegjësinë ligjore.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu