
FRANCË – Një ish-anestezist francez, i njohur nga prokuroria si “Doktori i Vdekjes”, është dënuar me burgim të përjetshëm pasi u shpall fajtor për helmimin e qëllimshëm të 30 pacientëve, nga të cilët 12 kanë humbur jetën.
Gjykata e qytetit Besançon, në lindje të Francës, e shpalli Frédéric Péchier fajtor për kontaminimin e qeseve të infuzionit me substanca që shkaktonin arreste kardiake ose hemorragji të rënda. Sipas vendimit, ai do të vuajë minimumi 22 vite burg përpara se të ketë mundësi për rishikim të dënimit.
Viktima më e re ishte një fëmijë 4-vjeçar, i cili i mbijetoi dy arrestimeve kardiake gjatë një operacioni rutinë për bajame në vitin 2016, ndërsa viktima më e moshuar ishte 89 vjeç.
Gjatë seancave, prokurorët përdorën tone tepër të ashpra, duke deklaruar:
“Ju jeni Doktori i Vdekjes, një helmues, një vrasës. Ju keni turpëruar gjithë profesionin e mjekësisë. Këtë klinikë e keni kthyer në varrezë.”
Péchier ishte nën hetim që prej tetë vitesh, i dyshuar për helmimin e pacientëve në dy klinika në Besançon mes viteve 2008–2017. Rasti i parë që ngriti alarmin ishte ai i Sandra Simard, 36 vjeçe, e cila pësoi një arrest kardiak të papritur gjatë një operacioni në shtyllën kurrizore. Ajo mbijetoi falë ndërhyrjes emergjente, por analizat treguan se qeset e infuzionit përmbanin sasi kaliumi 100 herë më të larta se norma, çka çoi në nisjen e hetimeve penale.
Gjatë 15 javëve të gjyqit, Péchier pranoi herë pas here se disa pacientë mund të jenë helmuar, por mohonte kategorikisht përgjegjësinë personale. “Nuk jam helmues. Kam respektuar gjithmonë betimin e Hipokratit”, deklaroi ai para trupit gjykues.
Ish-mjeku kishte qenë i lirë gjatë gjithë procesit gjyqësor, por pas shpalljes së vendimit u dërgua menjëherë në burg. Ai ka 10 ditë afat për të apeluar, çka do të sillte një gjyq të dytë brenda një viti.
Rasti i Frédéric Péchier konsiderohet një nga skandalet më të rënda mjekësore në historinë moderne të Francës, duke tronditur besimin e publikut te sistemi shëndetësor dhe etika e profesionit mjekësor.






