Një revistë e pazakontë që kombinon modën me botën e kafshëve është kthyer në qendër të një përplasjeje ligjore me një nga emrat më të mëdhenj të industrisë së modës. Bëhet fjalë për “Dogue”, një publikim që i dedikohet qenve dhe stilit të tyre, i cili tashmë përballet me akuza për shkelje të markës nga shtëpia botuese Condé Nast, pronare e revistës prestigjioze “Vogue”.

“Dogue”, e krijuar nga fotografja dhe graphic designer Olga Portnaya, lindi fillimisht si një projekt në Instagram, për t’u shndërruar më pas në një magazinë të mirëfilltë, edhe pse me një tirazh të kufizuar prej rreth 100 kopjesh. Emri dhe logoja e saj janë konceptuar qëllimisht për të krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë me “Vogue”, duke ndërthurur modën me botën e qenve, madje duke marrë frymëzim edhe nga raca Dogue de Bordeaux.

Në padinë e ngritur, avokatët e Condé Nast argumentojnë se titulli “Dogue” është një referencë e qartë ndaj “Vogue” dhe mund të ngatërrojë konsumatorët, duke krijuar përshtypjen e një lidhjeje mes dy publikimeve. Sipas tyre, kjo situatë përbën dëm për reputacionin e revistës ikonike dhe mund të shkaktojë pasoja të pariparueshme për markën.

Nga ana tjetër, projekti ka fituar vëmendje ndërkombëtare, duke sjellë në kopertina qen të famshëm, përfshirë edhe Labradorin e aktorit Kevin Costner. Ndërkohë, edhe vetë “Vogue” ka eksperimentuar me konceptin, duke lançuar në gusht 2024 një version digjital të quajtur po “Dogue”, ku në kopertinë ishte Chihuahua e aktores Demi Moore.

Përplasja ligjore mes palëve pritet të nisë së shpejti në gjykatë dhe, sipas krijueses së “Dogue”, mund të zgjasë për një kohë të gjatë. Rasti po shihet si një test i rëndësishëm për kufijtë e frymëzimit dhe mbrojtjes së markave në industrinë e modës dhe medias.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu