
Një delegacion i kryesuar nga presidenti i entitetit serb në Bosnjë-Hercegovinë, Milorad Dodik, që aktualisht është në kërkim, zbarkoi të martën në aeroportin Ben Gurion në Tel-Aviv të Izraelit, ka raportuar “Oslobodjenje”.
Avioni i Qeverisë së Republikës Srpska është nisur nga Banjalluka për në Beograd e më pas ka fluturuar drejt Izraelit. Largimi i Dodikut shkaktoi reagim të Policisë Kufitare në Bosnjë-Hercegovinë, pasi me urdhër të drejtorit Mirko Kupresakoviq nisi një hetim mbi mënyrën se si ai e ka kaluar kufirin shtetëror.
Ky institucion ka njoftuar se do t’i marrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtje të kufirit dhe ruajtje të sigurisë.
Vizita e Dodikut në Izrael lidhet me konferencën kundër antisemitizmit, e cila do të mbahet më 26 dhe 27 mars në Jerusalem.
“Ashtu siç Izraeli e mbron veten, ashtu bën edhe Republika Sërpska e mbron të drejtën e vet të ekzistojë, ta vendosë rrugën e saj dhe ta ruajë trashëgiminë e të parëve. Serbët dhe hebrenjtë janë popuj që të tjerët kanë kërkuar t’i asgjësojnë. Për këtë arsye ne e kuptojmë njëri-tjetrin. Dhe kjo është arsyeja pse qëndrojmë së bashku”, ka shkruar Dodik në platformën X.