Një doberman i quajtur Penny është shpallur fitues i çmimit prestigjioz “Best in Show” në edicionin e 150-të të Westminster Kennel Club Dog Show, duke rrëmbyer trofeun më të lakmuar për qentë e ekspozitave në Shtetet e Bashkuara.

Penny triumfoi mbi gjashtë finalistë të tjerë në arenën e famshme Madison Square Garden në Nju Jork. Çdo qen u vlerësua bazuar në përputhjen me standardet ideale të racës së saj, ndërsa gara mblodhi rreth 2,500 qen nga më shumë se 200 raca përgjatë dy ditëve të konkurrimit.

Përveç trofeut dhe shiritave të nderit, fituesja hyri në histori duke triumfuar në përvjetorin jubilar të 150-të të këtij eventi të njohur botëror.

 

Mes finalistëve ishin edhe një zagar afgan i quajtur Zaida, një lhasa apso me emrin JJ, një maltez e quajtur Cookie dhe një qen stani i vjetër anglez (Old English Sheepdog) i njohur si Graham. Në garë ishin gjithashtu një retriever i Gjirit Chesapeake, me emrin Cota, dhe një terrier (Smooth Fox Terrier) i quajtur Wager.

 

Spektakli nuk mungoi me momente që elektrizuan publikun. Një qen pa qime i racës xoloitzcuintli mori ovacione të forta, ndërsa një retriever i artë u brohorit aq shumë sa zëri i prezantuesit u mbulua nga turma.

Një moment historik erdhi edhe nga Millie, një qen i racës fermeri danezo-suedez, që u bë pjesë e Westminster për herë të parë këtë vit dhe arriti deri në gjysmëfinale.

Westminster konsiderohet maja e garave për qentë kampionë dhe pjesëmarrja në këtë event elitar mbetet një arritje e madhe, veçanërisht për debutuesit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu