Detaje të reja vijnë nga ngjarja tragjike e së martës në Shkodër ndërsa gjendja shëndetësore e Anila Ndoka Prendushit vijon të jetë tepër e rëndë.

Edhe pse ishte menduar që ajo të sillej në Tiranë për një trajtim më të specializuar, mjekët kanë vlerësuar se gjendja e saj nuk e lejon transportin.

Për këtë arsye, ajo po mbahet nën monitorim të rreptë nga mjekët në Spitalin Rajonal të Shkodrës.

Sipas korrespondentit të Euronews Albania në Shkodër, hetuesit kanë zbardhur bisedat mes çiftit përmes ekspertizës së telefonave celularë.

Një nga mesazhet e fundit, i dërguar pak para ngjarjes, tregon për një gjendje të rënduar psikologjike të Kolë Manajt.

“Bëhet fjalë për një mesazh ku Kolë Manaj, në një gjendje të rënduar emocionale, i ka kërkuar Anilës që të takoheshin, duke e paralajmëruar se do të lëndonte veten.

Ajo i është përgjigjur duke i kërkuar të takoheshin dhe të mos bënte veprime të gabuara,” raportojnë burimet nga hetimi.

Pas kësaj bisede, Manaj është paraqitur pranë vendit të punës së Prendushit ku ajo është futur në makinën e tij dhe më pas ka nisur një debat mes tyre.

Debati ka përfunduar tragjikisht, pasi 34-vjeçari ka qëlluar Anila Ndoka Prendushin me një plumb në ballë dhe më pas ka drejtuar armën drejt vetes, duke e qëlluar veten në kokë.

Sot, hetuesit kanë marrë në pyetje familjarët e dy personave të përfshirë, si dhe disa dëshmitarë, me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Kujtojmë se tragjedia ndodhi ditën e martë, kur Kolë Manaj, 34 vjeç, plagosi rëndë partneren e tij, Anila Ndoka Prendushin, dhe më pas i dha fund jetës duke qëlluar veten me armë zjarri./Euronews

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu