Në dëgjesën me fermerët e Divjakës për Skemën Kombëtare të Mbështetjes 2026, Kryeministri Edi Rama theksoi se sot problemi kryesor i bujqësisë nuk është mungesa e parave, por mungesa e informacionit dhe e përgatitjes për të përfituar nga financimet. Rama u shpreh se buxheti i shtetit është vetëm një nga komponentët e mbështetjes, ndërsa fondet nga bankat, Banka e Zhvillimit, linjat e garantuara nga shteti dhe fondet e Bashkimit Europian mbeten kryesisht të pashfrytëzuara për shkak të mungesës së projekteve konkrete. Ai bëri të ditur se për sektorin bujqësor janë vënë në dispozicion rreth 250 milionë euro, që mund të shkojnë deri në 1 miliard euro përmes garancive shtetërore, por theksoi se këto mjete kërkojnë dosje të përgatitura dhe argumentim ekonomik. Kryeministri nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes fermerëve dhe rolit më aktiv të bashkive për krijimin e strukturave të përbashkëta, veçanërisht në agropërpunim, për të shtuar vlerën e prodhimit vendas dhe për t’u përgatitur për standardet e tregut të BE-së. Sipas Ramës, pa investime në përpunim, grumbullim dhe logjistikë, bujqësia shqiptare rrezikon të mbetet e brishtë përballë tregut dhe ndryshimeve klimatike, ndërsa vetëm përmes projekteve të mirëstrukturuara fermerët mund të sigurojnë financim dhe të rrisin fitimin e tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu