Divjakë, 21 Qershor 2025 – Në ditën më të gjatë të vitit, e njohur si Solstici Veror, guida “Divjakë – Guide me Altinin” ka ndarë një projekt të veçantë, fryt i një angazhimi pesëvjeçar që përshkon kohën dhe dritën.

Altini dhe ekipi i tij kanë fotografuar pozicionin e diellit në të njëjtin vend të territorit të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, çdo datë 20 ose 21 të muajit, për pesë vite me radhë. Një përkushtim që u kurorëzua pikërisht sot, kur për herë të parë u shfaqën të gjitha pozicionet e diellit të kapura ndër vite.

“Jo çdo muaj na është dhënë mundësia ta shohim diellin në atë pikë, por kur bashkohen durimi dhe pasioni për natyrën, ja ku jemi sot”, shkruhet në postimin e tyre në rrjetet sociale.

Fotot janë realizuar nga vendi i perëndimit më të bukur në territorin e Divjakë-Karavastasë – një thesar natyror që vijon të frymëzojë dhe të mahnisë vendasit dhe vizitorët.

Ky projekt jo vetëm që i shton një dimension artistik eksplorimeve turistike, por edhe dëshmon sesi natyra mund të kthehet në kronikë të kohës, kur vëzhgohet me dashuri dhe përkushtim.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu