Dita e Verës është një festë që vjen nga thellësia e shekujve, ilire dhe arbëreshe, e quan të pastër identitetin kur del manushaqja, mbin bari e ngrohet koha.

Është festa e përtëritjes dhe vazhdimësisë së jetës.

Në Elbasan ka ngjitur si festë mbarëpopullore sepse është festuar nga të gjithë, pa dallim feje, ideje, si nga pasaniku ashtu dhe i varfri. Të gjithë festonin me gjelin e detit, ballakumet dhe mbi të gjitha rrethuar nga gëzimi i fëmijëve.

Por një gjë nuk ndryshon ndër vite, përpjekjet për ta përvetësuar, për ta zëvendësuar me turllilloj aktivitetesh pa lidhje deri dhe fushata e tij viti. Zbriti sot në Elbasan kreu i PD-së Sali Berisha dhe premtoi si premtim fushate se do rikthente TikTok-un.

S’është as i pari as i fundit. E kanë quajtur ndër vite e vite Festa e Luleve, Pikniku i Madh në Rrapin e Mansit, Festa e Rinisë etj., por ajo mbeti Dita e Verës.

Rituali i Ditës së Verës në Elbasan ndahet në këto faza: Nata e Verës, më 13 mars, Mëngjesi i Ditës së Verës 14 mars, pikniku i Verës nga ora 10-15 më 14 mars.

Nata e Verës mblidhte miq e të afërm në shtëpi dhe deri në mesnatë vazhdonte me këngë e valle. Niste me këngën e ustait Isuf Myzyrit:

Një lulishte me trëndafila
Ashta parajsa e vërtetë
Ky asht vend ku këndojnë bilbilat
Ah ç’më dogji dashnia e shkretë

Në këtë mënyrë festa zëvendoset në mëngjes me piknikun e Ditës së Verës në natyrë, me ushqime me vete dhe rrethuar nga lulet simbol menekshet dhe karakaftet

Dikur madje ishte dhe dita kur vajzat e reja dilnin pa shami të bardhë në kokë dhe gjenin bashkëshortin e ardhshëm mes turmës. Pra ishte festa e gjallërimit të jetës, me ushqime, këngë, lojëra në gjirin e natyrës.

Një këngë e Isuf Myzyrit që këndohej për Ditën e Verës:

Ma mirë në pyll se në qytet
Ma mirë në pyll se në qytet
Ne të dy atje do të rrojmë
Njeri atje s’na gërget
T’amël jetën ne t’a çojmë
Kapërceva mal’n e Krastës
Të mirë meç mor Elbasan!
Vuna kamën në mal t’Vashës
Pashë Sopotin dhe Vasjanë.
Ç’ju lutem zotit na dha
Nuk ka tjetër lumturi.
Nji kasollë mlu’ me bar
Të rrojmë në mal si bari.
Kur humb rrugën nji njeri
Të gjitha brengat o i mendon.
Shok i bahet nji bari
Hajde sonte n’kasollen tonë!
Zoti ju dhashtë bujari
Që se latë udhëtarin jashtë
Bukë, venë dhe raki
N’këtë kasollë mlu’ me kashtë.
Bariu mikun e dëfren
Edhe fyellit duke i ra.
Zakone t’vjetra i rrëfen
Kështu gjyshnat na i kanë lanë.
Sa amël raka fyelli
Kush ka vesh për me e ngu’.
Larg u ndodh Isuf Myzyri
Bariut afër iu afru’.

Dita e Verës është dita në të cilën të parët tanë, kur ende nuk kishte lindur Krishterimi, kremtonin bashkë me romakët, grekët e vjetër, perënditë e luleve, të shelgjeve, shkruan Faik Konica në veprën e tij për Ditën e Verës.

Dhe siç thoshte Konica, të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. “Nuk i bëjnë dëm njeriut dhe sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Në një vend ku jeta e të vegjëlve është kaq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë për të dëfryer.” shkruante Konica në vitin 1911.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu