
Me rastin e Ditës së Theofanisë, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joan, përcolli sot një mesazh reflektimi dhe besimi për besimtarët ortodoksë.
Gjatë predikimit të mbajtur në Kisha e Apostull Pavlit dhe Shën Astit, në Durrës, Kryepiskopi u ndal te rëndësia e kësaj feste të madhe të Kishës Ortodokse, e cila përkujton shfaqjen e Perëndisë dhe pagëzimin e Krishtit në lumin Jordan.
Ai theksoi se Theofania nuk është thjesht një përkujtim historik, por një moment shpirtëror i gjallë, që i fton besimtarët të reflektojnë mbi pagëzimin e tyre dhe mbi marrëdhënien personale me Zotin.
“Sot festojmë Theofaninë, një nga festat më të rëndësishme të Kishës Ortodokse. Vetë fjala ‘Theofani’ ose ‘Epifani’ do të thotë shfaqja e Perëndisë. Koha liturgjike nuk është vetëm kohë kronologjike, por një mundësi për takim me dimensionin hyjnor dhe për të ndjerë praninë e Perëndisë në shpirtin tonë”, u shpreh Kryepiskopi.
Fortlumturia e Tij nënvizoi se pagëzimi i Krishtit është një thirrje për një udhëtim të vazhdueshëm shpirtëror, duke theksuar se pagëzimi nuk është fundi, por fillimi i këtij rrugëtimi. Ai kujtoi se Krishti u pagëzua jo nga nevoja, por për të pastruar dobësitë dhe mëkatet e njerëzimit dhe për të treguar rrugën e shpëtimit.
Në fjalën e tij, Kryepiskopi Joan u ndal edhe te misteri i Trinisë së Shenjtë – Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë – që shfaqet në pagëzimin e Zotit, duke theksuar se ky mister nuk kuptohet plotësisht me logjikë, por përjetohet përmes besimit.
“Ky është mesazhi i Theofanisë: të reflektojmë mbi pagëzimin tonë, të kuptojmë misterin e Trinisë dhe të ndjekim rrugën shpirtërore që Krishti na ka treguar”, përfundoi Kryepiskopi Joan.
Sot në shumë qytete u zhvillua ceremonia e ujit të bekuar pavarësisht motit të keq. Për herë të parë rituali nuk u krye në Adriatik, Durrës.




