
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka nisur ditën e parë në detyrë duke trajtuar një nga çështjet më urgjente të momentit: situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe ndikimin e saj tek qytetarët shqiptarë që ndodhen në rajon.
Hoxha zhvilloi një takim me shtabin e posaçëm të ngritur në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku morën pjesë drejtues të institucionit dhe ambasadorët shqiptarë në vendet e Lindjes së Mesme, të cilët po ndjekin nga afër zhvillimet në terren.
Në një reagim në rrjetin social X, ministri theksoi se siguria e qytetarëve shqiptarë është prioriteti kryesor.
“Siguria dhe mirëqenia e shtetasve tanë mbeten përparësi absolute”, shkroi Hoxha.
Sipas tij, përfaqësitë diplomatike shqiptare në rajon janë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët shqiptarë, duke ofruar informacion, këshillim dhe asistencë për çdo rast të nevojshëm.
Ministri bëri të ditur se strukturat e Shërbimit të Jashtëm, në bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore, janë në gatishmëri të plotë për të marrë çdo masë të nevojshme në varësi të zhvillimeve në vendet e prekura nga përshkallëzimi ushtarak.
Hoxha theksoi se koordinimi me ambasadat shqiptare në rajon do të vijojë në mënyrë të vazhdueshme për të monitoruar situatën dhe për të garantuar mbështetje për qytetarët shqiptarë që ndodhen në këto vende.




