Sfidat dhe mundësitë e gjuhës shqipe në epokën moderne janë diskutuar në ditën e Dytë të Kuvendit të Gjuhës Shqipe këtë të premte, ku është prezantuar edhe drafti i Fjalorit të përditësuar të Gjuhës Shqipe, i cili më pas do të hidhet edhe për konsultim të gjerë publik. Ky fjalor është fryt i një pune gati 4 vjeçare dhe do të përmbajë rreth 120 njësi, gati trefishi i fjalorit aktual.
“Nevoja për një fjalor të madh të shqipes kish lindur me kohë. Shqipja ishte ndër gjuhët e pakta që i mungonte një fjalor i tillë. Për të hartuar këtë vepër u ftuan tërë specialistët e fushës në trojet shqiptare e Arbëri, përgjigjja e gatishmëria e tyre, si dhe e qeverisë dhe Kryeministrit për të na besuar e financuar këtë projekt madhor, mundësoi fillimin e punës e kryerjen me kompetencë e në kohën e duhur të kësaj vepre madhore. Për hartimin e saj u ngrit një grup i përbërë nga 55 bashkautorë e 25 hartues, të drejtuar nga një redaksi prej 10 leksikografësh e në ndihmë të saj u krijua një qendër e posaçme, ajo e Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike, tashmë e kthyer në qendër të përhershme, si një organ administrativ e profesional.”, thotë kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi.
Për hartimin e Fjalorit u ngrit një trupë e krahasueshme me dy institute; Instituti i Gjuhës dhe i Letërsisëm, që sot ka 21 punonjës kërkimorë-shkencorë. Hartimi i platformës paraprake iu besua akademik Jani Thomait e akademik Valter Memishës, drejtor i Institutit të Gjuhësisë e kryetar i komisionit të përhershëm të gjuhës dhe letërsisë në atë kohë.
“Vepra u projektua si një Fjalor me 90.000 fjalë e 10.000 njësi frazeologjike, por nga puna e bërë për të krijuar Korpusin / Database-n a kartotekën e veçantë solli lëndë të bollshme dhe në gjendjen e tanishme kemi këtë pasqyrë statistikore. Lënda leksikografike (fjalori i mirëfilltë) përfshin: 103.000 fjalë si fjalë-titull (mbi 2.5 herë më shumë se “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”, 1980). Kjo, përbëhet nga punonjësit akademikë të Institutit Albanologjik të Prishtinës, Universitetit të Prishtinës, të Tiranës e universitetet e tjera publike në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut si dhe të Universitetit të Palermos e të Kozencës.”, – vijon Gjinushi.
Ndërsa Valter Memisha, Drejtor i Institutit të Gjuhësisë vëren se “Fjalori i Gjuhës Shqipe është e para vepër madhore e hartuar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë pas reformimit të saj.”
“Gjithashtu theksojmë se pranë Akademisë është ngritur Qendra e Botimeve Enciklopedike Albanologjike, e cila ka ndjekur në vazhdimësi dhe nga afër punën e bërë për hartimin e veprës.”, – vijon ai.
Për hartimin e fjalorit është krijuar një bazë të dhënash elektronike me një fond prej 800 milion njësish, në të cilat janë përfshirë tërë fjalorët e mëparshëm e veprat e autorëve më në zë shqiptarë nga Buzuku, Fishta e deri tek Kadareja, si dhe u krijua njësia me specialistë IT dhe të gjuhësisë kompjuterike për të mundësuar hartimin e tij sipas teknologjive më të përparuara të kohës.
Gjatë diskutimeve u fol për domosdoshmërinë e një ligji për gjuhën në Republikën e Shqipërisë, që të garantojë ruajtjen dhe përdorimin e shqipes në përputhje me rregullat gramatikore dhe drejtshkrimore. B.G/Shqiptarja.com