Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin zhvilloi sot një mbledhje të gjatë dhe me debate të zgjeruara lidhur me kërkesën për imunitetin e deputetes Belinda Balluku. Pas diskutimeve, Këshilli vendosi të mos dalë ende me një përfundim, duke kërkuar më shumë kohë për shqyrtimin e çështjes.

Gjatë mbledhjes, anëtarët e Këshillit u ndalën te aspektet procedurale, precedenti parlamentar dhe nevoja për një vlerësim të kujdesshëm të kërkesës, duke theksuar se vendimmarrja nuk duhet të jetë e nxituar. Në këtë kuadër, u argumentua se çështje të tilla kërkojnë kohë të mjaftueshme për analizë të plotë, në respekt të rregullores së Kuvendit dhe standardeve parlamentare.

Në diskutime ndërhyri edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili solli në vëmendje precedentë të mëparshëm të Kuvendit. Balla kujtoi se Këshilli i Mandateve ka pasur raste kur ka marrë deri në 75 ditë kohë për shqyrtimin e një kërkese, duke përmendur konkretisht rastin e ish-ministrit Lulzim Basha, lidhur me çështjen e rrugës Durrës–Kukës.

Sipas Ballës, kërkesa në atë rast kishte mbërritur në Kuvend më 15 tetor 2007 dhe u votua në seancë plenare vetëm më 27 dhjetor 2007, çka dëshmon se Kuvendi ka ndjekur edhe më parë procedura të zgjatura në raste të ndjeshme dhe me peshë politike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu