
Disa zona të Tiranës janë zhytur në errësirë mbrëmjen e sotme si pasojë e mungesës së energjisë elektrike.
Sipas informacioneve paraprake, shkak i ndërprerjes dyshohet të jetë një defekt në linjën 110 kV të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), i cili ka sjellë ndërprerje të energjisë në disa zona të kryeqytetit.
Raportohet se pa energji kanë mbetur lagje të Njësive Administrative 1 dhe 2, përfshirë Ali Demin, Shkozën, Tregun Elektrik, Saukun, Farkën, si edhe zona të tjera përreth.
Burime zyrtare nga OSHEE bëjnë me dije se defekti i përket OST-së dhe se po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje alternative, me qëllim furnizimin gradual të nënstacioneve përmes linjave të tjera.
Lidhur me situatën ka reaguar edhe deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se gjysma e Tiranës ka mbetur pa energji elektrike për më shumë se 45 minuta, ndërsa thekson se qytetarët kërkojnë një shërbim dinjitoz për energjinë që e paguajnë me çmime të larta.
Autoritetet pritet të japin informacion të mëtejshëm mbi normalizimin e plotë të furnizimit me energji elektrike në orët në vijim.






