
Diplomati amerikan Christopher Hill këtë të mërkurë, më 12 nëntor, ka dhënë dëshminë e tij për të tretën ditë me radhë, në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ai foli lidhur me marrëveshjen e Rambujesë, duke theksuar se nuk mbante mend cilët emra e kishin nënshkruar, por mbante mend që për herë të parë përfaqësuesit nga Kosova, ndonëse nuk ishin të bashkuar në qasjet e tyre politike, më në fund ishin bërë bashkë për këtë çështje.
“Nuk e mbaj mend kush e ka nënshkruar, por të gjithë ishin dakord ta nënshkruanin atë marrëveshje nënshkrimi në Paris. Isha shumë i kënaqur nga fakti që persona që nuk ishin ulur më parë në një tryezë të përbashkët dhe nuk ndanin të njëjtat qasje, por në atë moment ishin në një mendje, ishin bashkë. Persona që për shkaqe politike dhe mendimeve që kishin për Rugovën nuk ndanin të njëjtat qasje, megjithatë në Rambuje ishin të gjithë bashkë. Kishim një foshnjë figurativisht në duar, ishte një arritje e madhe, por kishim dhe një ndjenjë melankolie, sepse Serbia nuk ishte aty dhe ishim në një pikë shumë të rëndësishme historie,” tha Hill.
Më tej ai u shpreh se marrëveshja e Rambujesë e nënshkruar në vitin 1999, ku Serbia nuk mori pjesë dhe u firmos vetëm nga pala shqiptare, u bë me qëllimin e vetëm për t’i dhënë një mesazh presidentit jugosllav të atëhershëm, Sllobodan Millosheviçit.
“Si është e mundur të bëhet marrëveshje kur vetëm njëra palë shkruan? Koncepti asokohe ishte që t’i jepej një mesazh serbëve. T’u thonim serbëve, kjo do të ndodhë, kështu që ju do ishte mirë të bëheshit pjesë e procesit; pra kjo është mënyra më e mirë të mbroni interesat e Serbisë dhe të bëheni pjesë e këtij procesi, përderisa Millosheviçi thoshte se shqiptarët nuk do pajtoheshin me asgjë dhe marrëveshja e hodhi poshtë. Ishte mesazhi i kundërt, ne po i thonim Millosheviçit që ti je gabim, shqiptarët e firmosën marrëveshjen, por ti tani do bësh mirë të mendosh cila do jetë lëvizja e radhës e Serbisë. Unë personalisht mendoj që luftërat janë shumë të rënda dhe unë personalisht kam shumë problem me zgjidhje të tilla, por kishte njerëz që thonin duhet të përgatitemi. Unë nuk thoja do bombardojmë Serbinë për dy ditë dhe çdo gjë është në rregull pastaj; thjesht t’i themi Millosheviçit u bombarduove dhe tani hajde përqafojmë procesin,” tha Hill.
Ku shkuan Thaçi, Krasniqi dhe Veseli në kohën kur mbaroi raundi i parë i negociatave në Paris?
Diplomati u pyet nga trupa gjykuese lidhur me periudhën mes konferencës së Rambujesë dhe bisedimeve në Paris në vitin 1999. Konkretisht nëse e dinte që Thaçi, Krasniqi e Veseli ishin marrë me avion dhe kishin shkuar për takime me zyrtarët në Shqipëri.
“Nuk e di, unë e di që ata u morën nga një avion francez. Kisha menduar që do shkonin në Shkup, por dëgjova që u dërguan në Prishtinë. Kanë shkuar në vende të ndryshme besoj. Por kam dëgjuar fjalë që zoti Thaçi ka qenë në Tiranë. Po ashtu më kujtohet që jam përpjekur që të merrja informacion nga ambasada jonë, por edhe ambasada e kishte të vështirë të gjenin gjumë të zotit Thaçi.
Pra, sado që UÇK ishte e përgatitur dhe dëshironte të ecte krah nesh, ata së pari nuk kishin strukturë të organizuar dhe së dyti ata nuk ishin vërtet të interesuar të punonin me ne, me përjashtim të rasteve kur ndjenin se nuk kishin zgjidhje tjetër të bashkëpunonin me ne,” tha ai.
/tvklan







