Derbi i kryeqytetit vishte ngjyrë blu. Dinamo triumfoi 2-1 ndaj Tiranës në “Elbasan Arena” dhe ngjitet në krye të klasifikimi në kuotën e 31 pikëve, aq sa ka grumbulluar Vllaznia në 18 javë, por me golaverazh më të mirë se ekipi kuqeblu.
Nuk arrin të ngrejë kokë Tirana e Maganit, që ‘prish’ me një humbje një seri prej katër barazimesh radhazi. Tashmë “Final Four” duket si mision i pamundur për bardheblutë, që për momentin duhet të shqetësohen për garën e mbijetesës .
Lexo edhe:
Investimet e FSHF-së në infrastrukturë, ndërtohet fusha e radhës në kompleksin e Dinamo City
Sa i përket kronikës, skuadra e Ilir Dajës e mbylli në epërsi të dyfishtë pjesën e parë me gola të Qefalijës dhe Nanit të realizuar në harkun kohor të dy minutave (29’, 30’).
Tirana u mundua të reagonte në pjesën e dytë, por shënoi vetëm një herë me Ndrecën në minutën e 88-të, pa pasur shumë kohë në dispozicion për të shmangur humbjen.
Humbet një pozicion në klasifikim Partizani, që barazoi 2-2 në “Arenën e Demave” me Elbasanin. Mungesa e Rrapajt vazhdon të ndihet shumë në lojën e të kuqve, që edhe pse kaluan të parët në epërsi me Mba, pësuan dy gola në minutën 20’ dhe 31’ me autorë Tsague dhe Musta.
Gjatë pjesës së dytë, Partizani arriti të gjente edhe golin e barazimit me Janjevën, por asgjë më shumë, ndeshja u mbyll 2-2. Vlen të theksohet edhe një mrekulli e portierit të Elbasanit Abalora në minutën e 70-të pas goditjes me kokë të Domgjonit./syri