GJAKOVË – Zjarri që përfshiu kompaninë Comodita HomeGjakovë përbën një goditje të rëndë për industrinë prodhuese të Kosovës dhe për ekonominë e vendit. Kështu vlerëson Lidhja e Bizneseve të Kosovës, duke theksuar se ngjarja prek drejtpërdrejt mijëra punëtorë dhe familjet e tyre, qytetin e Gjakovës si dhe gjithë zinxhirin ekonomik që varet nga kjo ndërmarrje strategjike.

Image

Sipas reagimit zyrtar, “Comodita” përfaqëson një shtyllë të rëndësishme të prodhimit vendor dhe një histori suksesi kosovare, e ndërtuar ndër vite me punë dhe sakrificë. Çdo dëmtim i kësaj kompanie, thekson LBK, reflektohet si humbje e drejtpërdrejtë për ekonominë e Kosovës dhe për industrinë vendase.

Image

Lidhja e Bizneseve shpreh solidaritet të plotë me pronarin Shkëlqim Devolli, menaxhmentin dhe punëtorët e kompanisë, ndërsa u bën thirrje institucioneve shtetërore për reagim të menjëhershëm. Sipas saj, Qeveria e Kosovës, institucionet përgjegjëse dhe pushteti lokal duhet të ofrojnë mbështetje institucionale, financiare dhe administrative për rimëkëmbjen sa më të shpejtë të kompanisë dhe ruajtjen e vendeve të punës.

Image

Nga ana tjetër, “Comodita Home” ka njoftuar se zjarri ka përfshirë vetëm një pjesë të fabrikës në orët e pasdites, ndërsa fatmirësisht nuk ka persona të lënduar. Punëtorët janë evakuuar me kohë, ndërsa në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë ekipet policore dhe njësitë e zjarrfikësve për lokalizimin e flakëve.

Aktualisht, shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta dhe nuk është përllogaritur vlera e dëmit material. Kompania ka falënderuar institucionet dhe strukturat që reaguan menjëherë, përfshirë njësitë e zjarrfikësve nga disa komuna, si dhe përfaqësues të KFOR-it dhe FSK-së për gatishmërinë e treguar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu