Tiranë, 12 Shtator 2025 – Inovacioni më i fundit i qeverisë shqiptare ka bërë jehonë në mediat më prestigjioze ndërkombëtare. Reuters, The Guardian, Politico dhe dhjetëra portale të tjera botërore kanë raportuar gjerësisht për krijimin e “Diellës”, ministres së parë të shtetit në botë të krijuar nga inteligjenca artificiale.

Diella, e prezantuar nga kryeministri Edi Rama, ka marrë detyrën e Ministres së Shtetit për Prokurimet Publike dhe do të menaxhojë proceset e tenderimeve me synim që ato të jenë “100% të pakorruptueshme dhe 100% të lexueshme”.

Rama e përshkroi Diellën si një “anëtare të qeverisë që nuk është fizikisht e pranishme, por virtualisht e krijuar nga inteligjenca artificiale”. Sipas tij, kjo është një mënyrë për të garantuar transparencë dhe për të shmangur abuzimet që tradicionalisht kanë shoqëruar fushën e prokurimeve.

Sipas të dhënave të publikuara nga qeveria, vetëm gjatë këtij viti Diella ka ndihmuar qytetarët përmes platformës e-Albania, duke ofruar rreth 972 mijë shërbime dhe lëshuar 36,600 dokumente digjitale me vulë elektronike.

Jehonë dhe debat

Lajmi është cilësuar si një hap historik nga mediat ndërkombëtare, që e kanë përshkruar Shqipërinë si vendin e parë që i beson një rol qeveritar inteligjencës artificiale. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se sfida kryesore mbetet mbikëqyrja njerëzore, siguria e të dhënave dhe transparenca e plotë në rast të vendimeve të kontestuara.

Projekti ka tërhequr interes të madh edhe në rrafshin politik, ku opozita ka reaguar me skepticizëm duke ngritur pyetjen se kush do të mbajë përgjegjësi ligjore për vendimet e Diellës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu