
Emërimi i inteligjencës artificiale Diella si ministre për Prokurimet Publike në Shqipëri ka tërhequr vëmendjen e mediave europiane, të cilat kanë dhënë opinione të ndryshme mbi këtë hap të paprecedentë të qeverisë Rama.
Diella, e përshkruar si “objektive dhe e pakorruptueshme”, ka qenë më parë avatar digjital me veshje tradicionale në faqet zyrtare të qeverisë, ndërsa tashmë është ngarkuar me një detyrë konkrete në luftën kundër korrupsionit.
“Minus të metat e ministrave prej mishi e gjaku”
Gazetari dhe shkencëtari i komunikimit Reginaldo Rodrigues de Almeida në Correio da Manhã shpjegon arsyen pse Shqipëria po i drejtohet këtij modeli radikal:
“Nëse ministrat prej mishi e gjaku nuk janë bindës, pse të mos provohet kodi binar? Diella nuk kërkon apartamente shërbimi apo shofer, dhe mbi të gjitha nuk ka kushërinj për t’u sistemuar në administratë. Kritikohet fakti që kushtetuta nuk parashikon ministra që nuk paraqiten fizikisht, por as nuk parashikonte një situatë ku kaq shumë njerëz realë në poste publike do të akuzoheshin penalisht.”
Nevojë për kufij të qartë ligjorë
Në Eco, juristi Adolfo Mesquita Nunes nënvizon rreziqet e kalimit të kompetencave vendimmarrëse te një inteligjencë artificiale:
“Ka një ndryshim të madh mes përdorimit të AI-së si mbështetje teknike dhe transferimit të pushtetit vendimmarrës pa ndërmjetësim njerëzor. Rasti ‘Diella’ tregon urgjencën për një debat mbi kufijtë institucionalë të përdorimit të AI në administratë. Kush përcakton kriteret? Kush kontrollon? Kush mban përgjegjësi për vendimet e gabuara? Pa përgjigje të qarta, rrezikohet jo transparencë, por e kundërta – e maskuar si neutralitet.”
“Strukturat nuk ndryshojnë me një ministre AI”
Ndërkohë, gazeta gjermane taz mbetet skeptike mbi efektin real të këtij emërimi në luftën kundër korrupsionit:
“Korrupsioni nuk luftohet vetëm me teknologji. AI mund të sinjalizojë tenderë të dyshimtë, por nuk ndryshon strukturat që e ushqejnë korrupsionin. Për më tepër, është aq e besueshme sa të dhënat që i jepen. Kur vetë autoritetet janë pjesë e problemit, edhe teknologjia bëhet e korruptuar. Kryeministri Edi Rama pëlqen të paraqitet si vizionar, por nuk e duron mirë kritikat. Ndoshta prandaj mbështetet te një ministre AI: ajo nuk del kurrë vetë në publik dhe nuk akuzon, për më tepër, mund të fiket në çdo moment.”