
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në Korçë, ku futbollisti egjiptian i Skënderbeut, Saleh Nasr Salem, është dhunuar fizikisht nga një grup të rinjsh.
Sulmi ka ndodhur në lagjen nr. 16 të qytetit dhe nuk ka lidhje me aktivitetin e tij si sportist, apo ndonjë përplasje në fushën e futbollit.
Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Korçës, autorët dyshohet se e kanë dhunuar 26-vjeçarin për motive të dobëta, duke e goditur disa herë në kokë dhe duke i shkaktuar plagë të rënda, por fatmirësisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe nën kujdesin e mjekëve.
U arrestuan në flagrancë dy shtetas:Vangjel Jovani dhe Thanas Veshi, të dy 24 vjeç, banues në fshatin Polenë;
U proceduan penalisht në gjendje të lirë edhe tre të tjerë: Th. V. (32), A. Xh. (23) dhe J. O. (24), të cilët akuzohen për përfshirje në dhunë;
Gjithashtu, u procedua për moskallëzim të krimit edhe shtetasi Dh. M., 25 vjeç, banues në fshatin Rëmbec, i cili ishte i pranishëm gjatë ngjarjes.
Ngjarja ka tronditur opinionin sportiv dhe qytetarët në Korçë, por autoritetet kanë qenë të shpejta në identifikimin dhe ndalimin e autorëve. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e konfliktit, ndërsa klubi i Skënderbeut ende nuk ka reaguar zyrtarisht për incidentin që përfshin lojtarin e tyre.