
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas dhunimit të avokatit Kujtim Cakrani në Vlorë, duke e cilësuar ngjarjen si një “akt kriminal shtetëror të shëmtuar”.
Sipas Berishës, avokati – i cili aktualisht është pjesë e ekipit mbrojtës të ish-presidentit dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta – është goditur pa asnjë shkak dhe vetëm për shkak të detyrës së tij.
“Të dashur miq, sot avokati i mirënjohur Kujtim Cakrani, që është edhe avokati i ish-Presidentit dhe kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, goditet shtazërisht pa asnjë shkak, vetëm për shkak të detyrës dhe shtrohet në spital me fraktura në kokë,” u shpreh Berisha.
Partia Demokratike i uroi shërim të shpejtë avokatit dhe dënoi ashpër sulmin, duke e cilësuar atë një krim të parapërgatitur. Berisha ngriti gjithashtu akuza politike, duke pretenduar se përgjegjësia për ngjarjen bie mbi qeverinë.
Reagimi i Ilir Metës
Edhe Ilir Meta reagoi nga burgu, duke dënuar sulmin ndaj avokatit të tij dhe duke kërkuar ndëshkimin e autorëve.
“Dënoj me ashpërsi sulmin ndaj Avokatit Kujtim Cakrani nga dy banditë, të cilët jo vetëm duhet të identifikohen, por edhe të vendosen para ligjit sa më shpejt,” thuhet në reagimin e Metës.
Ai shtoi se sulmet ndaj avokatëve janë shqetësuese dhe shprehu solidaritet me Cakranin, familjen e tij dhe kolegët.
Ngjarja ka rritur tensionet politike, ndërsa pritet reagimi i autoriteteve dhe zbardhja e plotë e rrethanave të sulmit.






