Momenti i arrestimit te Jozefin Markut ne studiot e Top Channel

Sot, lajmi për arrestimin e Jozefin Markut pasi goditi fizikisht konkurrentin tjetër, Gjestin, tronditi opinionin publik. Pamjet e grushtimit u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, duke nxitur debate të zjarrta dhe indinjatë të thellë. Por ndërsa dora që godet është e Jozefinit, dora që nxit është ajo e produksionit.

“Unë sugjeroj që policia të ndalojë dhe produksionin. Këta thjesht luajnë rolet që u jepen.” shkruan gazetari i njohur Armir Shkurti.

Ja çfarë shkruan Armir Shkurti, gazetar,analist, ish kryeredaktor i emisionit FIKS FARE
Ja çfarë shkruan Armir Shkurti, gazetar,analist, ish kryeredaktor i emisionit FIKS FARE

Big Brother Albania, prej kohësh, ka kaluar kufijtë e një spektakli argëtues. Nën maskën e “lojës sociale”, produksioni ka krijuar një laborator tensioni ku pjesëmarrësit stimulohet të provokojnë, të fyejnë, dhe më pas – siç ndodhi sot – të godasin. Konfliktet shiten si “përballje karakteresh”, ofendimet si “shprehje mendimesh”, dhe dhuna si “pjesë e lojës”.

Momenti i dhunës në Big Brother Vip Albania
Momenti i dhunës në Big Brother Vip Albania

Nuk është hera e parë që spektakli kthehet në Big Shpulla. Kujtojmë se Kejvina Kthjella goditi Luiz Ejllin edicionin e vitit 2023 dhe ngjarja u fsheh nga produksioni edhe pse ndodhi gjatë publicitetit në natën e Prime.

Pamjet rrodhën në publik dy ditë më vonë nga brenda televizionit.

Dhe e dini çfarë ndodhi? Në vend që produksioni të merrte përgjegjësinë pse fshehu skandalin, hapi një hetim të brendshëm për të zbuluar “spiunin”  por që kurrë nuk gjeti prova. Dhe si përfundim fajësuan padrejtësisht një punonjëse, duke e detyruar madje të jepte dorëheqjen nën kërcënimin se do të kishte pasoja ligjore.

I njëjti standard nuk u ndoq me Kthjellën. Vetë dhunuesja edhe pse u skualifikua vetëm kur pamjet dolën në portale, pra jo më herët,  u kthye sërish në studiot e televizionit Top Channel si e ftuar, që pa mbaruar ai edicion, por edhe shumë e shumë herë të tjera.

Momenti kur Kejvina Kthjella godet me shuplakë Luiz Ejllin gjatë publicitetit në Prime, ngjarje që fillimisht u fsheh nga produksioni
Momenti kur Kejvina Kthjella godet me shuplakë Luiz Ejllin gjatë publicitetit në Prime, ngjarje që fillimisht u fsheh nga produksioni

Pra, produksioni nuk është vetëm spektator i dhunës – është frymëzuesi i saj. Nga mënyra se si përzgjidhen konkurrentët, tek intervistat provokuese dhe nxitja që u bëhet me anë të klipesh të zgjedhura me kujdes për të përkeqësuar konfliktet – gjithçka është ndërtuar për të çuar drejt shpërthimeve emocionale dhe përplasjes fizike.

A nuk ka një kufi moral? A nuk ka një përgjegjësi ligjore? Në çdo shtet ku media ka etikë, një akt i tillë do të sillte të paktën një hetim ndaj produksionit. Por në Shqipëri, dhuna shitet në “prime time”, dhe audienca e shokuar, e lodhur, ndoshta e mpirë, e konsumon si çdo natë tjetër.

Sot u arrestua një njeri, por duhet të vihet në akuzë një sistem. Një produksion që nxit dhunën për klikime dhe fitim, që shkel mbi dinjitetin e konkurrentëve dhe shpërndan helmin e përçarjes në shoqëri.

Big Brother nuk është më një show – është një makinë toksike që duhet ndalur. Sepse kur dhuna nis në prapaskenë, ajo përfundon në jetën reale. Dhe çmimin e paguajmë të gjithë./AIA.AL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu