
HAGË – Dhomat e Specializuara kanë vendosur lirimin me kusht të Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut, pasi gjykatësi vlerësoi se rrethanat kanë ndryshuar dhe paraburgimi nuk ishte më i arsyeshëm apo proporcional.
Sipas vendimeve të publikuara, të dy kanë ofruar shuma të konsiderueshme si garanci financiare për të siguruar pjesëmarrjen e tyre në procedurat gjyqësore.
Smakaj ka propozuar një garanci totale prej 50 mijë eurosh, ku 20 mijë euro do të sigurohen nga familja e tij, ndërsa pjesa tjetër nga një person me identitet të redaktuar për publikun. Mbrojtja thekson se mjetet financiare janë të disponueshme menjëherë.
Ndërkohë, Fazliu ka ofruar një garanci prej 40 mijë eurosh, gjithashtu nga një person anonim. Sipas vendimit, shuma është shumëfish më e lartë se pasuria totale e Fazliut dhe pritet të forcojë respektimin e kushteve të lirimit.
Dhomat e Specializuara njoftuan se të dy janë liruar me kusht në Kosovë, pas një vendimi të 3 shkurtit 2026, ku u konstatua se situata kishte ndryshuar që nga rishikimi i paraburgimit në dhjetor 2025.
Po ashtu, nga Specialja është liruar me kusht edhe Haxhi Shala, në kuadër të të njëjtave zhvillime procedurale.






