
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, ka shpërndarë një mesazh të posaçëm për bashkatdhetarët shqiptarë jashtë vendit, të cilët janë regjistruar si votues për zgjedhjet e 11 majit 2025.
Në mesazhin e tij, Balla kujtoi se prej më shumë se një jave ka nisur shpërndarja e fletëvotimeve përmes operatorit postar DHL, ndërsa një e treta e tyre tashmë ka mbërritur tek votuesit, sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Ai theksoi rëndësinë e respektimit të afatit ligjor: vetëm fletët e votimit që mbërrijnë në Shqipëri deri më 11 maj, ora 19:00, do të konsiderohen të vlefshme.
Për qytetarët në Greqi, ku për shkak të volumit të lartë të fletëvotimeve ka vonesa në shpërndarje, Balla sugjeroi që të paraqiten personalisht pranë pikave të shpërndarjes të operatorëve të DHL për të tërhequr zarfin.
“Për ata që ende nuk e kanë marrë dhe që shkruajnë e ankohen sepse nuk ka mbërritur ende fleta e votimit, kryesisht për vëllezërit e motrat tona në Greqi: Dua t’ju sugjeroj që do të ishte mirë që për të tërhequr fletëvotimin, për shkak edhe të numrit të madh të fletëvotimeve që janë në Greqi, të paraqiteni para pikave të shpërndarjes. Pra, të shkoni vetë ta tërhiqni, sepse duket se për shërbimet postare atje është e pamundur që kjo të kryhet në kohë.
Prandaj, në mesazhin që ju ka mbërritur nga operatori postar apo nga nënkontraktorët e tjerë të DHL në Greqi, ndiqni instruksionet e tyre dhe shkoni të tërhiqni zarfin që ju ka ardhur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pranë zyrave të këtyre nënkontraktore.
Ndërkohë, për ata që janë të pamundur, që janë në moshë apo kanë problematika të tjera, sigurisht përdorni telefonin.
Kontaktoni drejtpërdrejt në mënyrë që postieri të paraqitet pranë shtëpisë tuaj apo adresës që ju keni dhënë për ta tërhequr fletën e votimit,” deklaroi Balla.
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën u bëri thirrje votuesve që kanë marrë fletën e votimit ta plotësojnë dhe ta dërgojnë menjëherë, duke kërkuar mbështetje për Partinë Socialiste dhe numrin 5.
Në fund të mesazhit, Taulant Balla shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen që diaspora po i jep Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama, duke theksuar aspiratën e përbashkët për ta parë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian.
“Dua t’ju përshëndes të gjithëve, t’ju falënderoj me zemër për mbështetjen e madhe që po i jepni Partisë Socialiste dhe Edi Ramës në rrugën tonë pa kthim për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa dhe për ta parë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, duke ngritur flamurin tonë në oborrin e Bashkimit Europian mes Brukselit.”