Një inxhinier ndërtimi është arrestuar në flagrancë në zonën turistike të Gjilekës, Dhërmi, pas konstatimit të ndotjes mjedisore në vijën bregdetare, të shkaktuar nga depozitimi i mbetjeve inerte të ndërtimit.

Strukturat e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit (AZHT) dhe Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ushtruan kontroll në një subjekt ndërtues që po ndërton objekte hotelerie dhe banimi në këtë zonë, me leje të miratuar.

Gjatë kontrollit u konstatuan disa shkelje mjedisore dhe administrative, përfshirë:

Hedhja e mbetjeve ndërtimore pranë objektit dhe në vijën bregdetare, duke ndotur ambientin përreth;

Përdorimi i disa vilave për strehim të banorëve, pa u përfunduar procesi i çertifikimit dhe pa përfunduar punimet.

Si rezultat i këtyre shkeljeve, u arrestua 26-vjeçari A. Dh., me detyrë inxhinier zbatues i projektit ndërtimor, i cili akuzohet për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”.

IKMT ka vendosur gjithashtu bllokimin e objektit në ndërtim dhe të vilave përreth tij, deri në plotësimin e kushteve ligjore dhe eliminimin e shkeljeve të konstatuara.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për hetime të mëtejshme.

Policia e Vlorës thekson se do të vijojë kontrollet për të garantuar rendin dhe për të mbrojtur mjedisin në të gjitha zonat turistike të qarkut.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu