
Një episod krejt i pazakontë ka ndodhur para sfidës së mbrëmshme Çelsi–Barcelona në “Stamford Bridge”, ku Blutë e Londrës fituan bindshëm 3-0. Para se ndeshja të startonte, kamerat dhe tifozët kapën një “tifoze” të veçantë në stadium: një dhelpër, e cila kishte depërtuar deri në tribunën lindore.
Pamjet e publikuara në internet tregojnë dhelprën duke lëvizur fare qetë në rreshtat e sipërm të tribunës, teksa “inspektonte” stadiumin sikur të ishte pjesë e stafit të sigurisë. Pas disa minutash vëzhgimi, ajo u afrua në rreshtin e parë dhe u largua me vrap, duke shkaktuar të qeshura dhe habi tek tifozët.
Komentet nuk vonuan:
“Mendova se po luanin kundër Barcelonës, jo kundër Leicester City,” shkroi një tifoz, duke bërë humor me simbolin e ekipit të Lesterit.
“Si arriti dhelpra deri në tribunën lindore?”, pyeti një tjetër.
Ndërsa një koment tjetër shtoi me ironi: “Mirë është të shohësh Leicester-in të vijë për të mbështetur Çelsin sonte.”
Ndërkohë, klubi nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar, por ngjarja është kthyer shpejt në virale, duke i shtuar spektaklit të mbrëmjes një moment të veçantë që nuk ndodh shpesh në futbollin elitar.




