
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklaratë për media, ka folur për situatën politike të krijuar në Kosovë, për shkak të dështimit të konstituimit të Kuvendit.
Kurti tha se thirrjet e opozitës për të mos shkuar në zyrë të kryeministrit, për shkak të certifikimit si deputet, janë “thirrje për pezullim të shtetit”.
Ndër të tjera ai tha se ai dhe kabineti i tij dhanë dorëheqje, por më shumë se aq do të ishte braktisje e institucioneve.
“Konstituimi i Kuvendit dje u pamundësua sepse partitë opozitare PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK nuk votuan për verifikimin e mandateve. Ata që nuk pranuan që formalisht ta marrin mandatin e deputetit po kërkojnë nga unë që formalisht të mos jem kryeministër. Ne jemi në detyrë dhe i dorëhequr efektivisht që nga 23 marsi kur e kemi përmbyllur mandatin e rregullt dhe të plotë 4-vjeçar. Nga ajo ditë e deri te legjislatura e re qeveria jonë ushtron të gjitha përgjegjësitë që i takojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Më shumë se kaq, nuk është e mundshme të jepet dorëheqje. Më shumë se kaq do të ishte braktisje e institucioneve”, tha Kurti.
Ai gjithashtu tha se “i siguroj qytetarët që përtej zhurmës institucionale e disa mediave të ish-regjimit dhe të oligarkëve, e që kanë shkuar aq larg sa që e kanë regjistruar biznesin në Serbi, Republika e Kosovës po ecën përpara në ekonomi e demokraci me rend e siguri e paqe për të gjithë.”