Takimin e fundit në Detroit përpara se të nisej drejt Torontos në Kanada ku vijon turneu informues i diasporës, Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, e zhvilloi me kampionin shqiptaro-amerikan të karatesë, Adrian Hadribeaj.
“Takimi i fundit këtu në Detroit natyrisht që nuk mund të ishte me dikë tjetër përveçse me një kampion. Adrian Hadribeaj na bën gjithmonë krenar sa herë që ngjitet në ring sepse jo vetëm që i ka dhënë Shqipërisë tituj botërorë, por është një djalë i shkëlqyer që nuk e ka humbur kurrë lidhjen me Shqipërinë dhe tani jemi në momentin që po mendojmë se ka ardhur koha që Adriani të zhvillojë një ndeshje për një titull botëror tjetër në Tiranë. Ai dëshiron ta mbrojë, sepse i ka fituar të gjithë titujt botërorë. Tani ajo që i ka ngelur merak, siç e kemi ne shqiptarët që mund të shkëlqejmë në të gjithë botën, është se po nuk na pa vendi ynë, ai titull nuk vlen. Kështu që unë shpresoj që shumë shpejt ta kemi Adrianin në Shqipëri. Këtu në Michigan pashë që të njihnin të gjithë dhe kur të panë te takimi im me bashkatdhetarët thanë: ‘U paska ardhur edhe Adriani.’ Kështu që shumë faleminderit. Si shumë sportistë të tjerë shqiptarë, ti na bën shumë krenarë dhe mezi pres që ta ngresh lart flamurin tonë kombëtar kuq e zi edhe në Tiranë,” deklaroi Balla.
Kampioni tha se titullin do ta mbrojë në Shqipëri, duke marrë premtimin e Ballës se do ta organizojnë së shpejti këtë eveniment sportiv. Hadribeaj i cili në ring mban nofkën “Shqiponja” është shqiptari i parë që ka bërë karrierë të shkëlqyer në MMA.