
Detaje rrëqethëse janë zbuluar nga tragjedia e rëndë e ndodhur në qytezën Porcari të Italisë, ku një familje shqiptare humbi jetën brenda banesës së saj.
Viktimat janë kryefamiljari Arti Kola, 48 vjeç, bashkëshortja e tij Jonida, 43 vjeç, si dhe dy fëmijët e tyre, Hajdari 22 vjeç dhe Xhesika 15 vjeç. Sipas hetimeve paraprake të autoriteteve italiane, dyshohet se shkak i vdekjes ka qenë asfiksia nga monoksidi i karbonit, i çliruar nga një defekt në bolierin e shtëpisë.
Ngjarja u trajtua edhe në emisionin “Në kohë reale”, ku të afërm dhe bashkëfshatarë ndanë dhimbjen për humbjen e familjes.
Një detaj prekës u bë i ditur nga Ibrahim Sinani, i afërm i viktimave, i cili tregoi se nëna 78-vjeçare e Artit, që jeton në Itali me djalin tjetër, ende nuk është njoftuar për tragjedinë.
“I kanë thënë se janë sëmurë dhe ndodhen në spital. Ende nuk i kanë treguar gjë, pasi ka shqetësim se mund ta përjetojë shumë rëndë,” u shpreh ai.
Sipas të afërmve, Arti kishte emigruar prej vitesh, fillimisht në Greqi e më pas në Itali, në përpjekje për të ndërtuar një jetë më të mirë. Tragjedia rëndohet edhe më shumë nga fakti se familja kishte realizuar së fundmi ëndrrën e blerjes së shtëpisë së tyre, të cilën nuk arritën ta gëzonin.
Florenc Sinani, kryeplaku i fshatit Gryksh nga ku kishte origjinën familja, i përshkroi ata si njerëz të përkushtuar dhe shembullorë.
“I jati kishte vite që kishte ikur, ndërsa familja u bashkua me të në Itali para katër vitesh. Arti punonte bojaxhi. Si këtu, ashtu edhe atje, kanë qenë familje e mrekullueshme,” tha ai.
Familja Kola kishte qenë së fundmi në Shqipëri për festat e Vitit të Ri, pa e ditur se ajo do të ishte vizita e tyre e fundit në atdhe.



