Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me vetëvrasjen e Olsi Ibros në Tiranë, i cili ishte i akuzuar për skandalin e mirkorkredive. 45-vjeçari, sipas Balkanweb nuk kishte asnjë masë nga ana e gjykatës. Ibro rezulton të jetë bashkëshorti i Elda Ibros, që është dhe administratorja e një prej këtyre kompanive financiare të përfshirë në skemën e abuzimit të qytetarëve, por de facto pronari ishte 45-vjeçari.
Gjykata në maj 2024 ka lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”: Elda Ibron, Jorsida Dervishin, Alketa Tanushin e Kejda Seferi, ndërsa në burg janë: Arben Meskuti, Aldo Daka, Albert Gega dhe Edmond Mato, në kërkim ende Alban Kote.
Në 30 maj 2024 Prokuroria e Tiranës sekuestroi afro 10 milionë euro në llogaritë bankare të dy shoqërive të mikrokreditit dhe të nëntë personave, administratorë dhe përmbarues nga institucione të mikrokrediti dhe disa shoqërive të përmbarimit.
Sakaq, Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë dhe dërgoi në SPAK dosjen. Micro Credit Albania është një institucion financiar jobankë i licencuar në vitin 2016 që drejtohej nga çifti Olsi dhe Elda Ibro, kjo e fundit shërbente edhe si administratore e shoqërisë MCA (Mikro Kredit Albania).(BalkanWeb)