
Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i Policisë së Shtetit i zhvilluar në Tiranë kundër tregtimit të paligjshëm të armëve të zjarrit.
Sipas burimeve policore, Bledar Jella dhe Xhemal Shehi, të arrestuar nga Komisariati i Policisë Nr. 5, prej disa kohësh ishin të përfshirë në aktivitetin kriminal të shitjes së armëve të zjarrit. Dy të dyshuarit shisnin kryesisht armë në zonën e Kamzës, por edhe për grupe të tjera kriminale që veprojnë në Tiranë.
Policia ka arritur të dokumentojë dy episode të shitjes së pistoletave, të cilat shiteshin me çmime që varionin nga 2 mijë deri në 3 mijë euro për copë. Sipas hetimeve, armët ishin modele të reja dhe futeshin ilegalisht në Shqipëri përmes Kosovës.
Burime zyrtare bëjnë me dije se të arrestuarit janë persona me precedent penal, të dënuar më parë për vepra penale në fushën e vjedhjes.
Hetimet për këtë aktivitet kriminal vijojnë, ndërsa policia po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në zinxhirin e furnizimit dhe shpërndarjes së armëve.






