Zbardhen të tjera detaje nga aksidenti tragjik që i mori jetën futbollistit të Liverpool-it, Diogo Jota, dhe vëllait të tij, Andre Silva, në veri të Spanjës. Shoferi portugez i kamionit që ndodhej në vendin e ngjarjes ka publikuar një dëshmi të detajuar, duke mohuar plotësisht pretendimet e policisë spanjolle për shpejtësi të lartë dhe duke përshkruar përpjekjet e tij për t’i shpëtuar futbollistët.

José Azevedo, që udhëton çdo ditë në atë rrugë, tha në një video të postuar në rrjetet sociale:
“U ndala, mora zjarrfikësin dhe u përpoqa t’i ndihmoja. Por, për shkak të impaktit të aksidentit – harroni – nuk kishte asgjë që mund të bëja. Asgjë, absolutisht asgjë.”

Ai shprehu ngushëllimet e tij për familjen e viktimave, duke shtuar:
“Familjes, ngushëllimet e mia të sinqerta. Kam ndërgjegjen e pastër, e di çfarë kam parë. Kaluan pranë meje shumë qetë, pa ecur me shpejtësi, pa ecur me shpejtësi.”

Azevedo sqaroi se nuk e kishte ditur fillimisht kush ndodhej në Lamborghini:
“As nuk e dija kush ishte në makinë atë ditë. E mora vesh vetëm të nesërmen në mëngjes. Kur mbërrita në destinacion, ia tregova videon gruas sime dhe në mëngjes mësova që në makinë ishin dy vëllezërit.”

Shoferi i kamionit theksoi se e njeh shumë mirë atë rrugë, duke i bërë një përshkrim aspak pozitiv:
“Ju jap fjalën time që nuk po ecnin me shpejtësi. Po shkonin shumë qetë. Unë e bëj këtë rrugë çdo ditë, nga e hëna në të shtunë, dhe e di mirë si është: nuk vlen as për një qindarkë. Është një rrugë e errët dhe unë arrita të shihja markën e makinës, ngjyrën e saj, gjithçka.”

Ai përfundoi rrëfimin e tij duke thënë:
“E filmova, u ndala, u përpoqa të ndihmoja, por fatkeqësisht nuk kisha çfarë të bëja. Ndërgjegjja ime është e pastër.”

Deklaratat e Azevedo-s janë të dytat që kundërshtojnë zyrtarisht raportet e policisë spanjolle, të cilat flasin për një kombinim të shpejtësisë së lartë dhe shpërthimit të një gome si shkaqet e aksidentit fatal. Një tjetër shofer portugez kishte pohuar më herët se Lamborghini i kishte kaluar para aksidentit “me një shpejtësi të moderuar” dhe kishte kritikuar ashpër gjendjen e rrugës.

Hetimet për aksidentin tragjik vazhdojnë, ndërkohë që pyetjet për përgjegjësinë reale dhe kushtet e rrugës mbeten ende pa përgjigje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu