
Real Madrid është kualifikuar për në finalen e Superkupës së Spanjës, pas fitores 2-1 ndaj Atletico Madrid, në gjysmëfinalen e zhvilluar në Jeddah.
Takimi u zhbllokua që në minutën e dytë, kur Federico Valverde kaloi “Los Blancos” në avantazh me një goditje të saktë. Në fillimin e pjesës së dytë, Rodrygo dyfishoi shifrat, duke i dhënë Realit qetësi dhe kontroll të lojës.
Atletico reagoi me Alexander Sørloth, i cili ngushtoi rezultatin, por pavarësisht përpjekjeve të “Los Colchoneros”, shifrat mbetën të pandryshuara deri në fund të takimit.
Në përfundim, ishte Real Madrid që festoi dhe siguroi biletën për finalen e madhe, ku do të përballet me rivalët e përjetshëm të Barcelona, në një tjetër “El Clasico” për trofe.
Finalja pritet me interes të jashtëzakonshëm, teksa dy gjigantët e futbollit spanjoll do të luftojnë për Superkupën.






