Pas 4 orësh marrjeje në pyetje, kryetarja e Komisionit të ligjeve, Klotilda Bushka ka dalë nga ambientet e SPAK-ut.

Në deklaratën e SPAK pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj tërhoqi vëmendje mes të tjerave edhe përfshirja në këtë çështje e deputetes socialiste Klotilda Bushka, kryetare e Komisionit të Ligjeve.

Ajo është vënë nën hetim me dyshimet se ka qenë e përfshirë në veprime aktive në një fushatë për frikësimin e dëshmitarëve, helmimin e provave dhe pengimin e hetimit në dhjetor të vitit të kaluar dhe në janar të këtij viti.

Në dosjen qindra faqëshe të GJKKO-së, Bushka thuhet se ka ndërhyrë për të penguar hetimet e SPAK, duke intimiduar dëshmitarë dhe duke u marrë telefonat që të mos i dorëzonin në SPAK.

Sipas SPAK, Bushka kishte tentuar të manipulonte dëshminë e Ina Goxhajt, e cila ishte vënë fiktivisht në krye të kompanisë BYL-A edhe pse ajo kontrollohej nga Bushka dhe më pas nga Ajola Xoxa. Pas thirrjes së saj nga SPAK, Goxhaj tregoi për një përpjekje të koordinuar për të ndikuar deklarimet e saj si dhe për të fshehur faktet gjatë hetimit. Ajo tregoi se ishte takuar disa herë me Bushkën, Xoxën dhe disa avokatë, të cilët e kishin udhëzuar atë që të mohonte gjithçka si dhe të fshihte faktet.

Në njërin prej takimeve në shtëpinë e prindërve të Bushkës, kjo e fundit e kishte urdhëruar “që të mohonte gjithçka” gjatë pyetjes. Shqetësimi i saj lidhej gjithashtu me adresën e BYL-A, që sipas deklarueses, s’duhej të dilte që ishte shtëpia e saj. Në një takim të dytë në një zyrë avokatore, Ajola Xoxa i kërkoi Goxhajt që t’i dorëzonte telefonin dhe më pas e ka kontrolluar atë në lidhje me bisedat që kishte – biseda që e kanë shqetësuar.

Goxhaj deklaron se Ajola Xoxa i kishte sjellë një telefon të ri të markës Iphone 12 dhe i ka thënë se telefonin e saj Samsung A35 do ta asgjësonin. Prokuroria e Posaçme po e heton kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka për kryerjen e veprimeve me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës teksa ajo i mohoi këto akuza. Mesa duket Bushka vijon koordinimin për çështjen Veliaj./oranews

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu