Deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, u pyet për afro 4 orë nga hetuesit e Prokurorisë së Posaçme. Ai u paraqit rreth orës 13:00 në ambientet e godinës së qelqtë me avokatin e Ermal Yzeiraj. Në përfundim të dëshmisë së tij, deputeti tha se do fliste në kohën e duhur.
“Ishte thjeshtë një deklaratë e kërkuar nga ana ime, veprim procedural që e njeh Kodi i Procedurës Penale… Në cilësinë e personit i cili po vijon me hetimin e çështjes. Do shprehem në atë moment që unë konsideroj që do jetë i duhur”.
Disa ditë më parë, Ndreca u mor i pandehur nga Prokuroria e Posaçme për akuzën e “Shkeljes së barazisë në tendera” në kohën kur ka mbajtur detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.
Bashkë me të, të pandehur janë marrë edhe disa ish-zyrtarë të tjerë.
Hetimi nisi pas një kallëzimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shteti për shkelje në disa procedura tenderi për rikonstruksionin e disa komisariateve të policisë në vend.
Sipas KLSH, nga auditi i kryer, kanë rezultuar disa mospërputhje dhe devijime ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cenuar barazinë e pjesëmarrësve dhe operatorëve ekonomik në këtë procedurë dhe njëkohësisht kanë shkaktuar rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit.
Tv Klan