Deputetët e Partisë Demokratike ishin këtë të mërkurë në Parlamentin Europian, ku zhvilluan një bisedë me Komisionerin për Fqinjësinë dhe Zgjerimin z. Olivér Várhelyi, të cilit i shprehën shqetësimet e tyre mbi situatën politike në vend, si dhe e informuan lidhur me arsyet e vizitës në PE.
“Duke mbështetur plotësisht procesin e integrimit dhe duke e falënderuar për gjithë punën që ka bërë që procesi të shkojë përpara, pavarësisht se për shkak të keqqeverisjes së Edi Ramës, Shqipëria është larguar edhe më shumë nga vlerat europiane në qeverisje, bashkëndamë mendimin se integrimi europian është aspiratë e shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë dhe duhet të vazhdojë pavarësisht pengesave”, thuhet në njoftimin e deputetëve të opozitës.
Sipas deputetëve të opozitës, Shqipëria e ka jetike që të rikthehet në shinat e shtetit ligjor dhe demokratik, që nuk përndjek e burgos opozitën, që lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe ku qeverisja nuk diktohet nga krimi i organizuar./vizionplus