
Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar përmes një komunikate zyrtare pas takimit mes Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, dhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke vlerësuar Kosovën si partnere të përkushtuar në Ballkanin Perëndimor.
Në reagim, DASH falënderon Kosovën për rolin si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, si dhe për kontributin me burime në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.
“Shtetet e Bashkuara mezi presin të punojnë me qeverinë e re të Kosovës për të çuar përpara axhendën tonë të përbashkët të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik rajonal”, thuhet në deklaratë.
Sipas komunikatës, Sekretari Rubio falënderoi Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për angazhimin e vazhdueshëm në nismat ndërkombëtare të sigurisë dhe stabilitetit.
Ndërkohë, edhe Rubio ka ndarë një postim në rrjetet sociale pas takimit, duke theksuar partneritetin strategjik mes SHBA-së dhe Kosovës dhe rëndësinë e bashkëpunimit në çështjet rajonale.






