Nga Mero Baze
Erion Veliaj ka pranuar sot publikisht se “denoncuesi” i tij i fundit është një person anonim, për të cilin prokurori i çështjes Olsi Dado nuk ka marrë mundimin as të pyesë kush është. Pasi ka muaj të tërë që linçohet publikisht lidhur me inceneratorët apo disa ish-drejtorë të tij të akuzuar për korrupsion, të cilët janë në proces gjyqësor, prej sot ai më në fund po merret në pyetje rreth veprimtarisë së gruas së tij në një fondacion kulturor dhe vëllait të tij, që ka degën e një kompanie ndërkombëtare reklamash në Shqipëri, për t’i gjetur ndonjë konflikt interesi.
Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, por pikëpyetjet qëndrojnë.
Në dy çështjet e para, atë të inceneratorëve dhe të drejtorëve të tij të akuzuar për korrupsion, ai nuk është i pandehur. Çështjet kanë shkuar në gjykatë. Këmbëngulja për të gërmuar 20 vite në jetën e tij publike, prej vitit 2004 kur ka qenë drejtues i MJAFT-it e deri më sot, është një përpjekje qartazi e motivuar politikisht.
Fjala vjen, është pyetur me kë ka udhëtuar në të njëjtin avion më 2004, më 2011 apo 2014, çfarë karte krediti ka pasur apo pse nëna e Ajolës ka blerë kostume që nuk janë në masën e trupit të saj, apo pse babai i ndjerë i Ajolës ka blerrë një makinë që e ka shitur përsëri pas disa kohe më shtrenjtë se e ka blerë.
Janë detaje që tregojnë këmbënguljen për ta linçuar, pas të cilës qëndron një vullnet politik që ka gjetur mbështetje dhe tek prokurori i SPAK.
Nëse çështja e inceneratorëve apo dhe e drejtorëve të akuzuar për korrupsion janë çështje që lidhen direkt me pozicionin e tij si kryetar bashkie, dhe gjithkush duhet t’i respektojë faktet që bëhen publike, përfshi dhe spekulimet me to, përpjekjet për t’i hapur një çështje të tretë me persona anonimë, tregojnë një vëmendje për linçim, meqë kanë dështuar dy çështjet e para. Kjo është një çështje që më shumë se Veliaj dëmton punën e mirë që ka bërë SPAK në hetimin e dy çështjeve të tjera, që edhe pse nuk e prekin direkt Veliajn, natyrisht nuk e nderojnë Bashkinë e Tiranës.
Për këtë arsye merr rëndësi çështja e denoncuesit anonim. Nëse dy denoncimet e para kanë protagonistë politikë publikë nga opozita dhe nuk arritën ta marrin të pandehur, hapja e një çështjeje të tretë për t’i hetuar gruan, vëllain, vjehrrin e vdekur dhe vjehrrën e gjallë, ka nevojë të ketë më shumë besueshmëri sa i përket denoncuesit.
E them këtë, sepse ky personi “anonim” paska pasur akses të gërmojë në regjistra të aviacionit dhe të gjejë që në një avion me Veliajn më 2004 ka qenë dhe një person tjetër, që ky e ka shok, ndërkohë kur sistemi TIMS nuk ekzistonte dhe nuk është një akses që mund ta ketë kushdo. Dhe nuk është se e ka zbuluar SPAK, por ky “anonimi” që ka denoncuar.
Në këtë pikë, jemi para dy hipotezave: ose SPAK-u përdor metoda informale të gjetjes së fakteve dhe faturimit të tyre tek një anonim, gjë që nuk e besoj, pasi kjo do ishte një metodë monstruoze e kohës së komunizmit, ose ka një vullnet politik kundër tij, nga PD apo PS, për t’i bërë atij biografinë familjare në SPAK me shpresë se do t’i gjejnë diçka.
Linçuesit publikë të Erion Veliajt nuk janë anonimë dhe nuk janë linçues të PS-së në tërësi. Janë opozitarë të marrë me qira kundër Erion Veliajt. Disa shpërblehen me licenca dhe biznese për familjarët e tyre, ose ata direkt, disa me zarfa nën dorë. Nuk janë opozitarë 24 orësh, por janë mercenarë me pagesë që vishen me uniformë të PD-së. Shumicën e tyre i gjen në dreka, darka apo gëzime e hidhërime të familjarëve të ministrave të Edi Ramës. Dhe kjo e bën dhe më të pistë këtë betejë, dhe më të sinkronizuar me shantazhet e Berishës mbi këtë prokuror disa javë më pare, dhe “reflektimin” e tij për t’u bërë i besueshëm.
Nuk do të ishte ndonjë çudi që Veliaj të penalizohej për inceneratorin nëse i dilte ndonjë shkelje ligjore apo proceduriale, po ashtu as për ish-drejtorët e akuzuar për korrupsion. Natyrisht që nuk do ngriheshin këto pyetje. Por, njësoj si tek gjyqi i Nexhmije Hoxhës, të dënuar për kafe, kur ti dështon të ngresh akuza për përgjegjësitë e tij politike dhe pastaj përpiqesh të gërmosh në jetën e tij përmes “anonimëve shumë të informuar”, atëherë ka një problem ose me integritetin e prokurorit, ose me përdorimin për gjueti shtrigash.
20 vite më parë, kur Veliaj s’ka qenë njeri i zgjedhur, apo kur prokurori i çështjes nuk ka qenë prokuror, nuk janë fakte çfarëdo që të kenë bërë qoftë publikisht, qoftë ilegalisht, nëse kanë udhëtuar me avion me biznesmenë apo kanë pasur biznes ilegal në Portin e Durrësit meqë kanë pasur një shok ministër. Se ashtu pastaj dalim të gjithë denoncues anonimë, për të cilët SPAK duhet të hapë hetim.
Erion Veliaj meriton të hetohet dhe të gjykohet për detyrat e tij si i zgjedhur në krye të bashkisë, por jo për zgjedhjet e tij personale në jetë, meqë dikush mund t’i ketë ato probleme të empatisë personale. Kështu vetëm sa e forcojnë më shumë duke e shënjestruar si dikë që duhet dënuar patjetër dhe duke bërë të pabesueshëm procesin ndaj tij./tema