
Ndërsa në Shqipëri rastet e keqtrajtimit të kafshëve vazhdojnë të shkaktojnë reagime sporadike dhe dënime të rralla, në shumë vende të Europës perëndimore legjislacioni është shumë më i rreptë dhe ndëshkues për individët që ushtrojnë dhunë ndaj kafshëve.
Së fundmi në Itali, një rast i bujshëm keqtrajtimi i një qeni nga pronari i tij përfundoi me nisjen e një procesi penal ku prokuroria kërkon dënim deri në 4 vite burg. Ligji italian e parashikon këtë masë për “keqtrajtim të rëndë të kafshëve”, sidomos kur akti dokumentohet apo publikohet në rrjetet sociale, gjë që konsiderohet si përhapje dhe nxitje e dhunës ndaj kafshëve.
Në Gjermani, ligji për mirëqenien e kafshëve (Tierschutzgesetz) parashikon gjoba deri në 25,000 euro dhe deri në 3 vite burg, në varësi të shkallës së keqtrajtimit. Përveç ndëshkimit penal, autoritetet gjermane mund të ndalojnë përjetësisht mbajtjen e kafshëve.
Në Francë, që nga viti 2021 është miratuar një ligj i ri që klasifikon keqtrajtimin e kafshëve si krim penal, me dënime që variojnë deri në 5 vite burg dhe 75,000 euro gjobë, sidomos kur kafshët përdoren për qëllime spektakli apo publikimi në internet.
Në Holandë dhe Suedi, kontrolli i mirëqenies së kafshëve është shumë strikt dhe monitorohet nga autoritete të specializuara, të cilat mund të ndërhyjnë menjëherë nëse dyshohet për keqtrajtim. Dënimet përfshijnë heqje të menjëhershme të kafshëve, ndalime të përhershme për të pasur kafshë dhe procedime penale që mund të çojnë në burgim deri në 2-3 vite.
Lexo edhe “Kafsha” që vuri qenin të shqyejë macen në Librazhd, në ndjekje penale pas postimit të videos
Shqipëria, përballë sfidës së mungesës së zbatimit
Në Shqipëri, ndonëse Kodi Penal përfshin nenin për keqtrajtimin e kafshëve, në praktikë zbatimi mbetet i rrallë dhe shpesh i paefektshëm. Aktivistët dhe shoqatat për të drejtat e kafshëve prej vitesh kërkojnë rishikimin e ligjit aktual, ndëshkime më të forta dhe ngritjen e një strukture të specializuar për mbrojtjen e kafshëve./Aia.al