
Pas shpërthimit të sëmundjes Murtaja e Ruminantëve të Vegjël (PPR) në disa zona të vendit, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka shpallur ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së dhenve dhe dhive. Masë që, ndonëse e justifikuar në letër si “mbrojtje e shëndetit të kafshëve”, po zbatohet me vonesë dhe në mënyrë të paplanifikuar, duke e lënë sektorin e blegtorisë të papërgatitur për pasojat.
Fermat në zonat rurale, ku mbarështimi i dhenve dhe dhive është jetik për mbijetesën ekonomike, janë goditur rëndë nga ndalimi i menjëhershëm i lëvizjes së kafshëve. Ndërprerja e kullotave, e tregjeve të bagëtive dhe e grumbullimeve po krijon një kaos zinxhir në sistemin ushqimor dhe në tregun e mishit.
Përse s’u veprua më herët? Pavarësisht se rastet e para të murtajës u sinjalizuan në disa zona periferike javë më parë, autoritetet heshtën deri në shpërthimin e plotë të sëmundjes. Mungesa e fushatave ndërgjegjësuese dhe masave parandaluese e ka lënë komunitetin blegtor të pambrojtur, ndërkohë që dëmet ekonomike janë tashmë të konsiderueshme.
Megjithëse lejohet lëvizja e kafshëve vetëm drejt thertoreve me dokumentacionin përkatës, për shumë fermerë kjo nuk është zgjidhje, por fundi i një cikli të tërë prodhimi e mbarështimi.
Në një vend ku blegtoria është ende shtylla kurrizore e shumë familjeve, vendimet emergjente duhet të paraprihen nga transparencë, parashikim dhe ndihmë konkrete. Përndryshe, lufta kundër murtajës po kthehet në një tjetër plagë për fshatin shqiptar.