Eksportet bujqësore “Made in Albania” po vijojnë të zgjerojnë hartën gjeografike duke shënuar zhvillime interesante.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur se eksportet bujqësore janë rritur gati me 13 % çdo vit.
Sipas saj, vetëm për në 7 muajt e parë të këtij viti, eksportet bujqësore janë rritur me 16.7 % dhe produktet shqiptare në tregjet e BE janë edhe më të larta me 22 %.
“Këto janë shifra që na motivojnë të rrisim prodhimin e frutave dhe të perimeve në sipërfaqe për hektar më shumë dhe kjo është një nga pikat e para të mbështetjes së Skemës së Investimeve që financon grant për rritjen e sipërfaqeve të prodhimit në serra”, u shpreh ministrja.
Denaj tha se, fokus i politikave mbështetëse vijon të jetë edhe nxitja e incentivave për bashkëpunim bujqësor të fermerëve duke i subvencionuar ata për krijimin e Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor.
“Kemi 321 bashkësi të operatorëve bujqësorë”, tha ajo, teksa shtoi se, skema e investimeve në bujqësi, aplikon standardet më të mira të zbatimit.
/r.e/