
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, në një deklaratë për shtyp thekson rëndësinë e angazhimit maksimal të Policisë gjatë sezonit turistik veror 2025.
“Jemi në mes të sezonit turistik, periudhë me pritshmëri të larta që kërkojnë efikasitet maksimal në siguri, parandalim dhe goditje të paligjshmërisë,” tha Proda. Ai nënvizoi se çdo strukturë e Policisë është e fokusuar në garantimin e rendit, sigurisë në zonat turistike dhe urbane, mbrojtjen e plazheve, parandalimin e ndotjes akustike dhe mjedisore, lirimin e hapësirave publike të zëna pa leje dhe goditjen e ndërtimeve pa leje.
Drejtori Proda theksoi se lirimi i hapësirave publike nga zaptimet arbitrare është një detyrë e pandashme e policisë dhe do të ketë kontrolle të përditshme dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë për çdo neglizhencë.
Ai u bëri thirrje bashkive, komuniteteve dhe qytetarëve për bashkëpunim të ngushtë dhe për të denoncuar çdo rast indiference apo abuzimi nga punonjësit e policisë apo strukturat e tjera inspektuese.
Përsa i përket problematikës së parkimit të dyfishtë në rrugë, Proda paralajmëroi se ky veprim nuk do të trajtohet më si shkelje administrative, por si vepër penale sipas nenit 293 të Kodit Penal, duke shfuqizuar kështu një fenomen të rrezikshëm që pengon qarkullimin dhe sigurinë e qytetarëve. Sipas nenit 293 të Kodit penal “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” parashikon që bllokimi i rrugëve dhe qarkullimit të mjeteve të kategorive të ndryshme dënohet me gjobë deri në tre vite burg.