
Qeveria mirëpret raportin e Parlamentit Evropian, vlerëson rolin e tij konstruktiv dhe mbështetës të rrugës evropiane të Shqipërisë, dhe falënderon eurodeputetët për ndjekjen me vëmendje të zhvillimeve në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.
Në mënyrë të veçantë, ajo shpreh vlerësim për Raportuesin për Shqipërinë, Andreas Scheider, për angazhimin e njëmendtë, qasjen objektive dhe të balancuar ndaj arritjeve dhe sfidave që kemi përpara dhe rekomandimeve për veprim.
Qeveria vlerëson gjuhën inkurajuese të Raportit, si dhe pasqyrimin e qartë të progresit me reformat dhe arritjet e Shqipërisë, në dy vitet e fundit.
Ky Raport vjen në një moment të rëndësishëm historik, teksa Shqipëria po avancon me vendosmëri në rrugën e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe me reformat për të forcuar më tej demokracinë, shtetin e së drejtës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, qeverisjen e mirë, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, modernizimin e administratës publike, lirinë e medias dhe rritjen ekonomike të Shqipërisë.
Raporti i Parlamentit Evropian vjen vetëm një ditë pas raportit të publikuar nga Komisioni Evropian mbi Shtetin e së Drejtës, i cili vlerëson progresin e Shqipërisë në forcimin e institucioneve kyçe të sundimit të ligjit dhe në reformat e rëndësishme në drejtësi dhe të luftës kundër korrupsionit e modernizimit të qeverisjes.
Raporti njeh progresin që Shqipëria ka bërë në përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave dhe përparimin në grupet e kapitujve të negociatave dhe fton institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare të ruajnë një qasje të bazuar në merita, të drejtë dhe të parashikueshme ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Qeveria riafirmon përkushtimin e palëkundur për të vazhduar me ritëm edhe më të shpejtë reformat e nevojshme për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe për të bashkëpunuar ngushtë dhe efektivisht me institucionet e Bashkimit Evropian.
Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj natyrës rigoroze dhe transformuese të procesit të anëtarësimit, si dhe ndaj bashkëpunimit të thelluar me të gjitha institucionet evropiane, edhe Parlamentin Evropian dhe mirëpret rekomandimet për të thelluar më tej reforma, në të mirë të qytetarëve shqiptarë, të rritjes ekonomike e forcimit të demokracinë, si dhe për të kontribuar në forcimin dhe unitetin e Bashkimit Evropian.
Siç deklaroi edhe Raporteri Schieder në fjalën e tij: “E ardhmja e Shqipërisë është në BE’’.