Nga Mentor Kikia
Televizionet shqiptare trajtojnë tema politike(lajme, intervista, debate etj), nga ora 07.00 deri në 24.00. E enjtja është dita kur zhvillohen edhe debatet më të rëndësishme. Për javën që lamë pas, besoj e vutë re, që debati më i fortë, apo le të themi kulmi i debateve, ishte tek programi Të Paekspozuarit, i Ylli Rakipit në MCN.
Nuk lidhet me publikimin e një ndonjë fakti apo ndonjë deklarate të rëndësishme, por sepse Andi Bushati u revoltua me dy koleget që ishin në studio ngaqë s’po e linin të fliste. “Do më lini ta përfundoj mendimin apo ta dhjes fare? – tha ai, ndërsa gazetaret filluan t’ia presin fjalën, në fillim njëra, pastaj tjetra e pastaj të dyja njëkohësisht. Bushati u çua, la studion dhe kur Rakipi i thërriste “O Bushat, O Bushat”, ai ia ktheu: “Ik o pirdhu”!
Fantastike ë? Ta thuash Live “ta dhjes”, “ik ore pirdhu”…ku ka më mirë për klikime.
Videoja u hodh në faqen e televizonit. Pastaj edhe portalet e tjera e morën me urgjencë.
Sekuenca 50 sekondëshe u bë HIT.
Në rrjetet sociale, media online e portale vërshuan titujt tipikë të këtyre ngjarjeve: “Plas në studion e TPZ”, “Plas keq në studion e TPZ”, “Shpërthen Bushati: Ta dhjes, ik pirdhu”, “Revoltohet Bushati: Ik o pirdhu”. Nja dy javë më parë ishte bërë hit videoja ku një biçim politikani, që ka qenë edhe deputet, i hakërrehej një gazetari në studio: “Qepe gojën se të palloj në dru unë”
Vu shikimet, vu klikimet, vu komentet, s’ka gjë që shumë janë edhe me sharje. Shumë K. Sepse media jonë sot lufton vetëm për K. Parimet, profesionalizmi, misioni, etika ka kanë pësuar tronditje të forta.
Në fakt çfarë po ndodh me median? Nuk po ndaloj tek tematika, por tek mënyra sesi zhvillohen debatet në pjesën më të madhe të tyre, tek degradimi i vetë debatit, si zhanër gazetaresk.
Shkurt, nëse bën një pyetje nuk merr pergjigje.
Nëse nis një ide, nuk e përfundon arsyetimin.
Ai që ndjek bisedën nga ekrani kërkon të dëgjojë/mësojë se çfarë mendojnë “ata njerëzit e mençur” që janë ftuar në studio. Por ai nuk merr vesh asgjë. Të gjithë flasin njëkohësisht. Të gjithë ngrejnë zërin, bërtasin, për të fituar vëmendje. Pastaj shahen, kërcënohen…
Mediat online janë në përgjim. Sapo kapin sherrin dhe sharjen, vërshojnë “lajmet”: “Plas në studion X”. “Sherr në studion Y”. “Ja si ia përplasi filani fistekut”. Pastaj vijojnë informacionet në detaje: “O legen”, “o hajdut”, “të më rruash lesht”, “merre edhe gruan po deshe”…
Nga debatet televizive rrallë gjej të citohen deklarata të qënësishme, me vlerë, sygjerime të dobishme, analiza që nxjerrin në pah problemet për të cilat diskutohet. Po të klikosh në google, me fjalëkyç “ik pirdhu”, “o legen”, shprehje që s’kanë asnjë lidhje me politikën, median dhe etikën, gjen pa fund publikime që kanë për titull këto shprehje. Të gjitha të cituara nga programet televizive.
Për fat të keq, televizionet janë kthyer në kuzhina ku gatuhen gjellë të prishura, të cilat u shërbehen njerëzve menjëherë nga një ushtri portalesh të uritur.
Të jemi drejtë: Ai quhet debat, do të ketë edhe ngritje zëri e replika, pa diskutim. Por kur këto degradojnë, apo kur “debati i ashpër” kthehet në qëllim në vetvete për të tërhequr vëmendjen, këtu ka mbaruar misioni, profesioni, etika, forma dhe përmbajtja.
Mediat vetë thonë se këto do publiku. Ndaj dhe moderatorët shpesh e nxisin vetë këtë lloj debati, ose, kur fillon, nuk e ndalojnë. Sepse nëse nuk ka sherr, nuk ka audiencë. Për të njëjtën arsye, në të nëjtën linjë ecin dhe programe të tjera televizive. Publiku do vulg, shalë dhe gjoks jashtë. Atë i japin!
Gjithësesi, ato pak studime që janë bërë për tregun mediatik, nuk e konfirmojnë këtë perceptim mbi shijet e publikut. Por, edhe nëse shumica e publikut do vërtet produktin 2SH(SHerr dhe SHalë), media është institucin dhe nuk duhet ti shkojë pas shijes së vulgut.
Media ka për detyrë edhe ta ndryshojë shoqërinë.
Kjo ka bërë që besueshmëria tek media të rrokulliset në mënyrë dramatike. Sondazhet e fundit e rendisin ndër 5 të fundit median. Ajo besohet më pak edhe se qeveria, policia e institucione të tjera publike, ndërsa, të paktën një dekadë më pare, ishte me besueshmërinë absolute.
P.S: Kërkoj ndjesë për përdorimin e disa fjalëve jo etike, por për të paraqitur realitetin, mu desh ti referoja saktësisht.
Në foto: Publikime të mediave online që janë referuar nga televizionet, nëse kërkon me fjalët kyçe ”O legen”, “ik pirdhu”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu